
Aktorët e Hollivudit iu bashkuan grevës së skenaristëve, duke nisur atë që paraqet mbylljen më të madhe në industrinë e filmit në më shumë se 6 dekada. Shoqëria e Aktorëve të Ekranit (SAG) po kërkon nga gjigantët e transmetimit që të pranojnë një ndarje më të drejtë të fitimeve dhe kushte më të mira pune për ta. Rreth 160.000 vetë i janë bashkuar aksionin që bllokon praktikisht shumicën dërrmuese të prodhimeve filmike dhe televizive në SHBA.
Aktorët e famshëm Cillian Murphy, Matt Damon dhe Emily Blunt lanë në gjysmë premierën e filmit të shumëpritur të regjisorit Christopher Nolan, “Openheimer”, në Londër mbrëmjen e 13 korrikut, pasi u shpall greva, e cila filloi në mesnatë sipas orës lokale të Los Anxhelosit. Protesta nisi jashtë selisë qendrore të Netflixit në Kaliforni, përpara se të kalonte para selive të Paramount, Ëarner Bros dhe Disney.
Sindikata – e njohur zyrtarisht si Shoqata e Aktorëve të Ekranit dhe Federata Amerikane e Artistëve të Televizionit dhe Radios, apo SAG-AFTRA – gjithashtu kërkon garanci që inteligjenca artificiale (AI) nuk do të përdoret për të zëvendësuar aktorët. Grupi që përfaqëson studiot, Aleanca e Prodhuesve të Filmit dhe Televizionit, ose AMPTP, e kritikoi vendimin. Në reagimin e AMPTP-së thuhet se “greva sigurisht që nuk është rezultati që ne shpresonim pasi studiot nuk mund të funksionojnë pa interpretuesit që sjellin në jetë shfaqjet dhe filmat tanë televizivë”. “Sindikata ka zgjedhur për fat të keq një rrugë që do të çojë në vështirësi financiare për mijëra njerëz të panumërt që varen nga industria”, nënvizohet në deklaratë. Për të fashitur shqetësimet lidhur me Inteligjencën Artificiale, AMPTP-ja tha se kishte rënë dakord për një “propozim inovator” që do të mbronte aktorët dhe do të kërkonte pëlqimin e tyre kur kopjet digjitale përdoren në shfaqje ose bëhen ndryshime.
Por, drejtori ekzekutiv kombëtar i SAG dhe kryenegociatori, Duncan Crabtree-Ireland, tha se oferta ishte e papranueshme. “Nëse mendoni se është një propozim inovator, ju sugjeroj të mendoni përsëri”, tha ai.
Një tjetër kërkesë e SAG për gjigantët e transmetimit është që aktorët të marrin paga bazë dhe bonuse më të mëdha për ritransmetimin e filmave dhe shfaqjeve ku ata kanë interpretuar. Greva përfshin dhjetëra mijëra aktorë që marrin shumë më pak para sesa kolegët e tyre më të famshëm. Ajo i shtohet një liste projektesh që tashmë janë mbyllur ose kanë ngecur për shkak të grevës së mëparshme të skenaristëve.