Kampionia e Europës Luiza Gega ka vendosur rekorde të reja. Ajo u bë e para atlete që arrin të marrë tri medalje të arta në një Kampionat Ballkanik. Treshen e të artave, Gega e plotësoi këtë të diel me triumfin në garën e 5000 metrave, ku po përpiqet të përshtatet gjithnjë e më shumë, dhe ku ka ambicie të mëdha në të ardhmen.
Atletja shqiptare ia doli të triumfonte në turneun që po zhvillohet në Kraljevo të Serbisë, duke dhënë kohën 16’07”93, ndërsa rivalet i la shumë prapa. Ndërkohë të shtunën Luiza fitoi dy herë, u shpall njëkohësisht kampione e Ballkanit në garën e saj të preferuar të 3 000 metrave me pengesa, dhe siguroi formalisht kualifikimin për në Lojërat Olimpike.
Koha ishte 9’21”53, ndërsa norma olimpike është deri në 9’23”. Hapin e dytë drejt realizimit të misionit Gega e realizoi me fitoren e garës së 3 000 metrave pasditen e së shtunës.
Atletja dha kohën 9’21”48, ndërsa tani do të përqendrohet tek objektivi më i madh i sezonit, Kampionati Botëror.