Blendi Fevziu është një ndër gazetarët më të njohur në vend, e ndërsa jemi mësuar ta shohim atë gjithmonë si moderatori i emisionit “Opinion”, sot sapo zbuluam një anë tjetër të tij. I ftuar në emision “Dua të të bëj të lumtur”, ai mori një surprizë shumë të bukur nga vajza e tij, Mishel e cila për herë të parë i shkruante një letër babit të saj.
Letër e cila e ka emocionuar jo pak Blendin, e ndërsa Mishel i shkruan “Të dua babi, ti je idhulli im”, Bleni nuk i përmbajti dot lotët. Ndërsa fliste për të bijën, Blendi tregoi se ajo i ngjante shumë, pasi, si ai edhe Mishel dëshironte t’i merrte vetë vendimet për veten. Në fund, Blendi tha: “Nuk ka rëndësi se sa njeri i fuqishëm dhe me pushtet ke qenë, nuk ka rëndësi nëse ke qenë një njeri i famshëm me një karrierë të arrirë. Mund të kesh bërë gjithçka, por nëse nuk ke rrritur një fëmijë të mirë, dije se nuk ke bërë asgjë”.
Letra e plotë e Mishel:
Babi,
Unë nuk ta them ‘të dua shumë’ dhe zgjodha ta bëj në mënyrën më të bukur të mundshme, vendosa ta bëj publikisht pikërisht atëherë kur ti nuk e pret. Ti ke vendosur të surprizosh dikë, por me këtë rast, në një emision kushtuar familjes, mendova të të thosha se familja më e mirë në botë është e jona dhe kjo, falë teje.
Megjithëse jam pak e ngurtë dhe pak e ndrojtur, megjithëse nuk ta kam thënë me zë të lartë, megjithëse duket sikur jam krejt e ftohtë: dua të të them se të dua shumë, shumë, shumë. Është e vështirë ta masësh dashurinë, por mbase të dua më shumë se sa më do ti mua.
Mua nuk më pëlqen të prezantohem si vajza jote, po jo sepse kam turp prej teje. Përkundrazi, unë jam krenare për ty, jam krenare se të kam baba, jam krenare sa herë njerëzit flasin për ty, sa herë të referohen, sa herë të kanë shembull.
Por pikërisht për këtë, unë dua të rritem e të ec vetë, siç ke ecur ti vetë.
Nuk dua të më hapen rrugët se jam vajza e Fevziut, dua të të bëj krenar që je babai im. Nuk kam dashur kurrë të të zhgënjej ndaj matem mirë para çdo hapi që hedh, e nëse dukem sikur nuk e kam mendjen fare tek ti, dije, se thjesht po përpiqem të të ngjaj.
Të dua babi, Ti je idhulli im.



















