
Është thënë se virusi nuk i prek përgjithësisht fëmijët, megjithatë ata nuk janë krejtësisht imunë ndaj tij. Shefja e Infektivit të Pediatrisë, Gjeorgjina Kuli tregon për “A2” se 276 fëmijë janë prekur nga koronavirusi në Shqipëri që nga fillimi i epidemisë dhe 13% e tyre janë ende të sëmurë aktivë, ndaj në 14 shtator nuk do të shkojnë në shkollë.
Aktualisht në spital ndodhen të shtruar 8 fëmijë të cilët po e kalojnë më rëndë koronavirusin për shkak të komplikacioneve.
“Zakonisht janë forma klinike jo të rënda, por po shohim edhe raste me intensitet të mesëm dhe raste që janë manifestuar tek fëmijë që vuajnë nga sëmundje kronike. Momentalisht kemi edhe fëmijë të hospitalizuar të cilët janë me infeksionin nga Covid, me komplikacione apo edhe me sëmundje të tjera shoqëruese, të veshkave, të zemrës, sëmundjet kronike të mushkërive”, tha mjekja.