I ftuar në emisionin “Rudina”, Alfio dha lajmën se ai do të shfaqet sërish së shpejti në ekranin e “Klan” me një program të ri. Edhe këtë herë programi do të ketë lidhje me gatimin, por ndryshe nga cdo herë tjetër ai do të gatuajë në vende të veçanta si ujëvara dhe liqene që jo vetëm do të promovojë thesare të fshehura, por edhe kuzhinën tradicionale shqiptare. Ai zbuloi se emisioni i ri nis në muajin korrik, në orën 16:00 në Tv Klan.
“Deri tani kam qenë shumë i ngarkuar me bizneset, por nuk i rri dot larg televizionit dhe nëse ka diçka që kam shumë dëshirë, është të bëj një projekt veror, të kënaqem unë duke e bërë, por të kënaqen edhe ata që e shohin, sidomos nëse sjell diçka që mund të hyjë në funksion edhe të familjeve sepse do të jetë një emision me gatime në vendet më të bukura të Shqipërisë, afër një ujëvare, afër një lumi, afër një liqeni. Janë teknika gatimi të veçanta, që mund të përdoren pa patur mjete spektakolare kuzhine, por duke bërë një zjarr, një gropë, se ka teknika që gatuhet nën dhe duke ndezur një zjarr sipër”, tregoi Alfio, teksa shtoi se do të ketë 10 puntata dhe personazhe të njohur të ftuar.