
Softueri Pegasus i firmës izraelite NSO është një nga mjetet më të fuqishme të përgjimit në botë. Programi mund të instalohet fshehurazi në telefonin celular, pa dijeninë e personit të prekur. Zgjodhëm emrin „Pegasus”, sepse softueri është një kalë Troje, madje një kalë Troje me krahë, që fluturon direkt në telefonin celular, qe shprehur njëherë në një intervistë Shalev Hulio, shefi i firmës izraelite NSO. Madje programi i spiunimit mund të instalohet nga distanca, pa asnjë ndërhyrje në aparaturë, në mënyrë krejtësisht të fshehtë, pa dijeninë e personit që përgjohet, madje edhe pa qenë nevoja, thote DW. Trojani „Pegasus” është bestselleri i firmës. Në mbarë botën shërbimet sekrete dhe autoritetet policore e shfrytëzojnë këtë program, për të spiunuar plotësisht dhe pa u vënë re personat që kanë në shenjestër. Nëse sulmuesit kanë arritur të fusin „Pegasus” në celularin e dikujt, atëherë ata kanë kontrollin e plotë mbi aparaturën. Ata janë në gjendje të kopjojnë të gjitha të dhënat nga telefoni celular dhe të aktivizojnë fshehurazi mikrofonin apo kamerën dhe të lexojnë madje edhe mesazhe të koduara. Një ndër arsyet kryesore për popullaritetin e softuerit konstrovers është ndoshta fakti, se „Pegasus” mund të instalohet relativisht lehtë në cellular dhe kjo vështirë se mund të pengohet.



















