Një ditë shumë e rëndësishme kjo e sotmja për Korçën, pasi ky qytet i rëndësishëm i vendit tonë feston 105-vjetorin e shpalljes së Krahinës Autonome.
Plot 105 vite më parë u ngrit flamuri shqiptar si shenjë e pavarësisë së Korçës dhe disa krahinave të saj, dhe sot një ngjarje e tillë historike është përkujtuar me homazhe të shumta te përmendorja e Themistokli Gërmenjit.
Në këtë ditë të shënuar është përuruar edhe një bust i realizuar në nder të Themistokli Gërmenjit në shtëpinë e tij, për të cilën arkitekti dhe drejtuesi i Vilës së Themistokli Gërmenjit, Ilir Voci, tha, “Mendoj se i shtuam Korçës një vlerë të munguar. Themistokli Gërmenjit është themelues i Korçës moderne dhe Shqipërisë së pavarur”.
Ai më tej shtoi se në këtë 105-vjetor flamuri u ngrit sërish në shtëpinë e tij, “Themistokli Gërmenjit u kthye në shtëpinë e tij pas një shekulli e pak. Të gjithë njerëzit e mëdhenj pasi përfundojnë kontributin e tyre për atdheun dhe kombin preferojnë të flenë në shtëpinë e tyre”.
Ndërkohë për sa u përket vëmendjes që institucionet i kanë kushtuar këtij përvjetori të rëndësishëm, arkitekti Ilir Voci tha se nuk është duke u marrë me to, pasi ai është duke bërë atë që ndjen në nder të vendit të tij.
Sapo hapet porta e shtëpisë së Themistokli Gërmenjit tanimë do të shfaqet busti i tij, dhe për këtë Voci me krenari tha, “Ai vazhdon të kontribuojë për Korçën dhe ju thotë të gjithë qytetarëve ‘Mirë se vini në shtëpinë e time, unë jam aty për t’u pritur juve e për t’u kujtuar se të gjithë ne duhet ta shtojmë kontributin për Korçën dhe për atdheun”.



















