Pas tragjedisë në Astroworld, Travis Scott, përveç padive po përballet me pasoja të tjera. Së fundmi reperi i famshëm është hequr nga lista e pjesëmarrësve për Festivalin e Muzikës dhe Arteve në Coachella Valley 2022.
Ky vendim vjen pas një peticioni për largimin e Scott nga të gjitha eventet e Goldenvoice. Scott ka shprehur sërish keqardhje për tragjedinë, ku humbën jetën 10 persona, gjatë një intervistë me Charlamagne Tha God.
Ai pohoi se nuk kishte dëgjuar ulërima dhe se nuk ishte në dijeni të lëndimeve të rënda që kishin pësuar pjesëmarrësit gjatë performancës së tij.
“Unë jam fytyra e festivalit. Unë jam artisti. Pra, po, media dëshiron ta vendosë fajin mbi mua. Unë e kuptoj që ju jeni të pikëlluar tani. Këta njerëz që erdhën në shfaqje, janë familja ime. Dhe unë kam pasur gjithmonë një lidhje me njerëzit që dëgjojnë muzikë ose kanë ardhur për shfaqjet e mia. Dhe është vërtet e vështirë për mua. Ata humbën të dashurit e tyre”, tha reperi.



















