Këngëtarja Elsa Lila ka qenë e ftuar së fundmi në “Opninon” dhe ndër të tjera është pyetur edhe “ngjarjen më të rëndë të jetës së saj”, sikurse ajo e cilëson, atë të arrestimit të saj në shtetin italian vitin e kaluar.
Elsa Lila qëndroi dy muaj në paraburgim në Itali dhe më pas u provua pafajësia e saj dhe u la e lirë. Këngëtarja gjatë intervistës ka treguar se shkaku i arrestimit të saj ka qenë njohja me 2 prej shqiptarëve që ishin pjesë e rrjetit të drogës, me të cilët ajo kishte kaluar kohë me ta, po pa e ditur se ishin të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme.
“Për mua mbetet kjo mbetet pikëpyetje shumë e madhe nga momenti që jam e pafajshme dhe nuk kam asnjë lidhje. Sistemi i drejtësisë italiane sidomos në rastin e grupazheve është një sistem i mbrapshtë. Ata në fillim bllokojnë grupin i cili dyshohet për diçka dhe më pas ky grup krasitet deri kur mbetet bërthama kryesore dhe ata që nuk kanë lidhje lirohen. Në këtë lloj sistemi grupazhi që mori brenda shumë njerëz qëllova edhe unë.
Unë duke qenë personazh publik në Romë, dy prej shqiptarëve që unë njihja, mesa duket merreshin me aktivitet për të cilat unë nuk isha në dijeni. Telefoni im ka qenë i vetmi objekt i sekuestruar, nga apartamenti im procesverbali ka qenë shumë i varfër. Pas disa muajsh këto objekte më janë rikthyer, pasi nuk përbënin asnjë provë kundër meje pasi ishin pa asnjë lloj lidhje me këtë lloj grupazhi.
Pasi unë gjatë gjithë këtyre 2 muajve në të cilat vuajta jolirinë time dhe zhdukjen nga shoqëria… Hallka që më lidhte ishte njohja. Për mua është mister i jashtëzakonshëm. Unë isha parë duke ngrënë darka apo dreka me këta persona, isha parë duke i frekuentuar. Këto ishin provat kryesore. Nëpërmjet avokatit im, i cili u gjet pas arrestimit tim, më është dhënë nga shteti italian, më shpjegoi dhe më tregoi më vonë që ndërkohë atë natë në shtëpitë e gjithë këtyre personazheve të tjerë, në procesverbalet e sekuestrimeve ishin shumë të pasura me elementë të jashtëligjshëm, janë gjetur para, armë, lëndë narkotike. Ndërkohë që në shtëpinë time nuk është gjetur asgjë. Celulari im nuk ka pasur asnjë lloj marrëdhënie telefonike as me këtë grupazh as me këta persona.
Ishte ngjarja më e rëndë që më ka ndodhur më jetën time dhe që nuk ja uroj askujt sepse ja që ndodhka që të jesh i pafajshëm dhe të përfundosh në një histori absurde. Kush më njeh nga afër e di shumë mirë se si jetoj, i njeh shumë mirë principet e mia, vlerat e mia. Ishte thjesht një absurditet”, sqaroi ajo.