Gjykata e Vlorës vendosi masën “arrest me burg” për Albi Cenon dhe Oltjon Tahirin, nën dyshimet për mbajtjen me forcë dhe përdhunimin e një vajze 26-vjeçare, pak ditë më parë, në një hotel në qytetin bregdetar. Me të njëjtat akuza pritet të përballet edhe Gentjano Mehmeti, i cili vazhdon të jetë në arrati, ndërsa një person tjetër, me inicialet V.K po kërkohet nga policia si i dyshuar i përfshirë në ngjarje. Policia e Vlorës ka kryer tre ditë më parë arrestimin në flagrancë të dy të rinjve nën dyshimet se “se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë nxitur një 26-vjeçare, që të përdorë lëndë narkotike dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me të".Në një njoftim të dytë, policia e Vlorës tha se “në vijim, referoi materialet në Prokurori, për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”, edhe për shtetasin V. K., 36 vjeç, banues në Vlorë, duke punuar për kapjen e tij”.
Sipas policisë “ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me tre të rinjtë e tjerë për të nxitur 26-vjeçaren që të konsumojë lëndë narkotike”. Ndërkohë po në lidhje me këtë ngjarje, një 57-vjeçar, Albert Deliaj është vënë nën hetim nga policia, pasi ka kërcënuar gazetaren e televizionit "Faxnews" Afrovita Hysaj, e cila raportoi lajmin për këtë ngjarje, pasi një prej te akuzuarve dyshohet se ka lidhje me 57-vjeçarin, kujton VOA. Televizion lokal “6+1 Vlora TV” në qytetin bregdetar, në pronësi të Deliajt, përmes një postimi në rrjetet sociale kishte përdorur fjalor denigrues për gazetaren Hysaj, duke e akuzuar për të pavërteta të mëdha, por postimi më pas ishte hequr nga faqja e internetit.
Në proçesin e sotëm në gjykatën e Vlorës morën pjesë edhe përfaqësues të Qendrës Psiko-Sociale “Vatra”, një organizatë jofitimprurëse shqiptare që punon për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje dhe në shoqëri. Aktivistët e organizatës mbanin në gjykatë bluzat me mbishkrime “ndal dhunës ndaj grave”. Më herët Qendra “Vatra” e kishte dënuar ashpër ngjarjen dhe u kishte kërkuar autoriteteve “hetime të menjëhershme me qëllim zbardhjen dhe vënien përpara drejtësisë te autorëve në përputhje me legjislacionin dhe veprën e kryer”.
Qendra “Vatra” tha se “ngjarja ishte një këmbanë alarmi për gjendjen në të cilën ndodhen gratë dhe vajzat e pambrojtura por dhe për institucionet dhe mekanizmat e shtetit, shoqërinë civile, median dhe të gjithë shoqërinë”. Qendra “Vatra” shprehu “angazhimin e saj me qëllim mbrojtjen e të resë dhe ofrimin e shërbimeve rehabilituese dhe riintegruese”.