KreuCelebrity

Seriali SUPERMODELET: Rrugëtimi i 4 yjeve nuk duhet humbur!

Seriali SUPERMODELET: Rrugëtimi i 4 yjeve nuk duhet humbur!

Udhëtim në botën e supermodeleve me katër vajza unike, katër shoqe, një ndërthurje e bukurisë, zgjuarsisë dhe stilit që ndryshoi botën e modës, një dokumentar me Cindy, Christy, Linda dhe Naomi

Majin e kaluar, për dy ditë, Cindy, Christy, Linda dhe Naomi – mbiemrat e tyre i njohin të gjithë – u bënë tok në një studio fotografike në Manhattan për të bërë atë që kanë bërë gjithmonë - supermodelen. Ato u veshën me minifustane pastel dhe taka stiletto – veshje dhe aksesorë që ishin shumë larg nga pulovrat prej kashmiri dhe xhinset komode me të cilat mbërritën aty pak minuta më parë.

Seriali SUPERMODELET: Rrugëtimi i 4 yjeve nuk duhet humbur!

Sa e çuditshme duhet të jetë të përjetosh këtë moment kthimi, por akoma më i çuditshëm duket fakti se pas 30 vitesh duke u përpjekur maksimalisht për të qenë të bukura, ato kanë një shkëlqim magjepsës. Ato do të jenë pjesë e një seriali i cili do të shfaqet me 20 shtator në Apple TV. Ky serial – dokumentar tregon historinë e botës së modës midis fundit të viteve '80 dhe mesit të viteve '90, kur moda, u kthye në shtyllën kryesore të argëtimit, krahas kinemasë, televizionit dhe muzikës. Në qendër të kësaj metamorfoze ishin Christy, Naomi, Cindy dhe Linda, katër vajza të cilat, falë një kombinimi të rrallë të fotogjenitetit, vetëbesimit, zgjuarsisë, ndjenjës së stilit, kuriozitetit, punës rigoroze dhe etikës në punë, sollën një dritë të re në industrinë e modës. Dhe kjo dritë nuk është fikur kurrë…

Ato ishin yjet…

“Ishte çmenduri. Ne nuk ishim Beatles”, thotë Linda duke kujtuar bujën mediatike pas publikimit të videoklipit të këngës “Freedom” nga George Michael, në të cilin u shfaqën të katërta së bashku. Ato ishin katër vajza të ardhura nga realitete të ndryshme, që rishkruan rregullat e një industrie gjigante. Ato duket sikur nuk kanë lindur në këtë botë. Vinin nga prejardhje të ndryshme, ishin vajza të zakonshme, por u bënë më të rëndësishme se industria që i kishte mirëpritur. Supermodelet ishin të pranishme në kulturën pop, në emisione, revista thashethemesh deri te posterat që mbushin sallonet e flokëve, muret e dhomave të gjumit të adoleshentëve, duke ndikuar në ëndrrat e shumë të rinjve. "Më kujtohet kur Cindy u shfaq për herë të parë për kasting në 1986 - thotë stilisti Michael Kors. Në atë kohë, modelet që punonin për revista nuk dinin të lëviznin. Pasi Cindy bëri disa lëvizje, u kuptua se po hapej një kapitull krejt i ri: ajo ishte shumë e ekuilibruar me mënyrën si lëvizte, pa kufizimet e shkollës së vjetër të modelingut parisian”. Po kaq mbresëlënëse teksa sheh Naomin shumë të re, duke folur për diskriminimin racor në një program në MTV; guximtare ngjan sot, por asokohe e pabesueshme, sesi pa asnjë lloj kompleksiteti Linda krijoi portofole fotografike me Steven Meisel; ndërsa sot duket krejt normale, në vitet ‘90 nuk mund të firmosje një kontratë siç bëri Christy për t'u bërë fytyra e Calvin Klein. Këto katër vajza ishin autentike, ndaj u kthyen lehtësisht në yje…!

Seriali SUPERMODELET: Rrugëtimi i 4 yjeve nuk duhet humbur!

Ishin mikesha...

Fakti që supermodelet ishin një grup vajzash të bashkuara nga një lidhje e vërtetë miqësie e bëri atë edhe më emocionuese për audiencën dhe të qëndrueshme për to. "Kishte një motërzim të bazuar në mbështetjen dhe besnikërinë reciproke. Nëse njëra binte, të tjerat e ndihmonin të ngrihej”, konfirmon Naomi. Ishte Christy ajo që e bindi Cindyn të ecte në pasarelë për Marc Jacobs, ndërsa Naomi sfiloi për Michael Kors pasi vajzat e bindën stilistin, i cili e zgjidhte në minutën e fundit. Bujaria e tyre ishte reciproke, funksiononte si një familje edhe me vetë stilistët. Ishte Naomi që e bindi Marc Jacobs të dizintokiskohej, ndërsa ishte Linda ajo që qëndroi pranë John Galliano kur po trajtohej në klinikë. Kur Linda u martua dhe po kalonte probleme serioze me bashkëshortin, Christy ishte personi i parë që e ndihmoi.

Mbijetuan ...

Në vitin 1992, bota e katër vajzave  u trondit nga ardhja e vogëlushes tepër elegante Kate Moss, një estetikë antiglamuroze e pasqyruar në fotografitë e Corinne Day. Ky stil për Christyn ishte si një lojë fëmijësh. "Ishte një stil i bazuar në gjërat thelbësore që rrezatonte freski dhe dukej në përputhje me personalitetin tim", kujton ajo. Flokët e shprishur u dalluan kudo, pozat u bënë pak të përkulura, shprehjet u mpiksën, ndërsa fustanet e Azzedine Alaïa i lanë vendin fustaneve të zakonshme. Naomi u përshtat shpejt, duke u çiftuar me Kate për Prada. “Ne i mbijetuam ndryshimeve”, thotë Linda, e transformuar nga David Sims në pamjen e një androgjeneje. Cindy e interpretoi këtë stil të ri si një lëkundje të pashmangshme të lavjerrësit të modës. Kur ajo dhe ish-burri Richard Gere u ftuan të takonin Mbretëreshën Elizabeth II në një ndeshje polo, Cindy veshi një fustan me qershi nga Marc Jacobs. “Më parë vajzat ishin të veshura kokë e këmbë me Versace dhe Chanel”, kujton Anna Sui. “Më pas të gjithë donin një bluzë vintage për ta veshur me xhinse”.

Seriali SUPERMODELET: Rrugëtimi i 4 yjeve nuk duhet humbur!

Përtej vështirësive...

Në mënyrë të pashmangshme, tema #MeToo qëndron mbi çdo bisedë të industrisë së modës në dekadat e fundit. Dokumentari i Apple nuk përmend Bruce Weber apo Patrick Demarchelier, të dy partnerë krijues të supermodeleve, të cilët i kanë mohuar akuzat për sjellje të pahijshme seksuale. Sa i përket përvojave të tyre personale, Christy dhe Cindy thonë se nuk kanë përjetuar ngacmime. "Unë mendoj se ishte thjesht fat”, thotë Christy. Nga ana tjetër Cindy mendon se në momentin e mbërritjes së saj në Nju-Jork, ishte 20 vjeçe dhe konsiderohej një lloj veterane. Që në moshën 16-vjeçare, Naomi jetoi në Paris me Azzedine Alaïa, i cili mbeti si figura e një babai për të deri në vdekjen e tij. “Ai më mbrojti nga shumë gjëra”, kujton Naomi. Në një rast që dikush kaloi kufirin, ajo i tha Azzedine, ai bëri një telefonatë dhe nuk ndodhi më. “Unë vij nga një prejardhje femrash të forta. Nëse diçka nuk shkon, e them me zë të lartë”. Pastaj ishte Linda, e cila pati një lidhje 6-vjeçare e cila përfundoi kur ishte 27 vjeçe. “Kur u ndava mendova: 'Unë jam Linda, sjell shumë para në shtëpi, mendoj se jam e bukur, di të gatuaj...! Nuk do ta lejoj që ai të më tradhtojë dhe u ndava”.

Thjesht vajza normale…

Të qenit grua me një profesion që përcaktohej nga nomadizmi, supermodelet u kujdesën për familjen e tyre. Christy dhe Cindy kanë dy martesa dhe disa fëmijë. Christy u martua me aktorin Edward Burns, një periudhë e cila rezultoi një heshtje e sikletshme. “E lashë punën për t'u diplomuar dhe për burrin tim isha një asistente personale që fitoja 18 000 dollarë në vit”. Vajza e Naomit është vetëm dy vjeçe dhe tashmë ka një pasaportë plot vula. “Udhëton me mua në Afrikë dhe Lindjen e Mesme”. Linda jeton me djalin e saj adoleshent. Kohët e fundit, ata shkuan në një dyqan Chanel dhe pritën gjysmë ore në radhë, ndaj ai i tha: Nuk mund të telefonosh dikë?. I ati, François-Henri Pinault i martuar me Salma Hayek, janë një çift që nuk janë mësuar të qëndrojnë në radhë, por Linda do një djalë të bindur dhe jo një trajtim preferencial. Cindy tri dekadat e fundit, ka ndërtuar një sërë biznesesh bukurie dhe stili jetese, duke ruajtur marrëdhënie të forta me marka si Omega dhe Pepsi. Trashëgimia e saj si supermodele është se ajo i tregoi botës si të fitonte para nga fama në mënyrë të matur, pa u mbiekspozuar. Ndihet krenare që është nëna e një supermodeleje. "Unë jam mamaja e Kaia", qesh ajo.

Vetëm Naomi vazhdon të shkelë rregullisht pasarelat dhe tapetet e kuq. "Unë ende e dua atë që bëj", thotë ajo. Sipas Anna Sui, fama është elementi natyror i Naomit, po ashtu dhe për të patur vëmendjen mediatike…!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF