Poeti i njohur Arben Duka është ndarë nga jeta në moshën 64-vjeçare, shkak për humbjen e tij janë bërë problemet shëndetësore prej të cilave vuante prej disa kohësh.
Këtë lajm të trishtë e ka dhënë gazetari i njohur gazetari Aleksandër Çipa në rrjetet e tij sociale, “Lamtumirë Arben Duka! Mirëmbeç Poet i pavdekshëm!!!”.
Arben Duka lind në Labovë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara deri në pesë herë.
Është bashkautor në rreth tre mijë këngë duke filluar qysh nga viti 1974. Ka dhjetëra çmime si autor dhe bashkautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet e Këngës në RTSH. Është autor i tekstit të Himnit të Policisë së Shtetit.



















