Spektakli “Kënga Magjike 2022” po afron dhe këtë të diel, Ardit Gjebrea ka zbuluar në rubrikën “Mam po ti” të “E diela shqiptare” panelin e jurisë së këtij formati muzikor.
Bëhet fjalë për, Kozeta Kurti, Jonida Maliqi, Mira Kazhani, Ema Andrea dhe Pirro Çako.
Ardit Gjebrea: Do të jetë juria e “Kënga Magjike 2022”, e cila do të shpallë fituesin apo fituesen e kësaj gare dhe le të zbulojmë anëtarët e saj duke filluar nga 2 zonjusha, të cilat i keni parë dhe në edicionin e kaluar. Është sërish ajo, gazetare, autore, drejtuese dhe bashkëdrejtuese e disa formateve kryesore në vend. Shkurt, shqip dhe saktë: Kozeta Kurti. Si e jursë i ke parë prurjet e reja në “Mam po ti”?
Kozeta Kurti: I kam parë shumë ambicioze. Mezi pres të shkojnë në rrugën e tyre dhe t’i shikoj të këndojnë këngë të dedikuara.
Ardit Gjebrea: Rikthehet për herë të tretë në “Këngën Magjike” një fituese Eurovision-i, një ikonë mode dhe një prezantuese televizive, artistja gjithmonë in, Jonida Maliqi. Nëse djali yt Dani do të konkurronte në një format të tillë, do të gjykoje si profesioniste apo si mami?
Jonida Maliqi: Ndjesia e të qenurit nënë i tejkalon të gjitha limitet e profesionalizmit, kështu që si mami.
Ardit Gjebrea: Miq të rinj në “Kënga Magjike”, për ju dhe për ne. Do të kemi një gazetare të penës fine, herë-herë dhe therrëse. Ajo është themeluese e portalit “Tirana Post”. Me elegancën e saj, Mira Kazhani. Cili ishte mendimi i parë që të erdhi në mendje kur të propozuam për të qenë pjesë e jurisë?
Mira Kazhani: Mendimi im i parë ishte mami që do të më ndiqte më në fund çdo të dielë dhe të gjitha hallat e mia kudo që ndodhen. Për t’u bërë seriozë, mendova për mamat e vërteta të këtij konkursi. Nuk është aspak e lehtë të gjykosh fëmijët e nënave.
Ardit Gjebrea: Është radha të ftoj, aktoren, pedagogen e arteve, një artiste me A të madhe, një shpirt i bukur, e cilësuar si rebele, është ajo Ema Andrea. Muzika pa poezi sikur…
Ema Andrea: Në fakt duken sikur e njëjta gjë, por… Kam parë një impakt, feedback shumë të mirë nga publiku për poezinë dhe kjo është meritë e ideve të tua.
Ardit Gjebrea: Këngëtar, kompozitor, kantautor, e ka në ADN shijen e muzikës së mirë, një mik dhe bashkëpunëtor shumë i rëndësishëm për Këngën Magjike, Pirro Çako. Cila do të ishte pyetja që t’i nuk do të doje që të të bëja unë?
Pirro Çako: Të kujtohet se dikur…, kjo do të doja që të mos ma bëje si pyetje.