KreuCelebrity

Njihuni me botën artistike të Erma Micit

Njihuni me botën artistike të Erma Micit

Nga Anita ALIAJ

Erma Mici është një artiste e re, e cila veç talentit të padiskutueshëm që ka për të kënduar, ka pasion edhe t’i shkruajë dhe t’i kompozojë vetë këngët e saj. Për Ermën, askush më mirë se ajo vetë nuk mund ta kuptojë botën e saj, ndaj e sheh tekstshkrimin si një komponent shumë të rëndësishëm për një artist. Rrugëtimi i saj në art le të themi se nisi mbarë, pasi u vlerësua si “Artistja më e mirë debutuese” në edicionin e 61-të të “Festivalit e Këngës” me këngën “Kozmosi”; një surprizë e bukur kjo për të dhe një shtysë e madhe për të vazhduar më tej. Në një intervistë për “Bordo”, Erma i thotë të gjitha, nga planet për këtë verë dhe projektet e reja muzikore, deri te marrëdhënia e saj me të atin, stilistin e njohur Altin Mici..

“Heartbreak Hotel”, është projekti juaj më i fundit muzikor, na trego pak më tepër rreth tij? Ka shkuar gjithçka sipas pritshmërive?

“Heartbreak Hotel” është shkruar që para 2 vitesh e gjysmë dhe është frymëzuar nga kënga e famshme e Rihannës “Love on the brain” për melodinë. Kur e kam shkruar, kam patur në mendje të tregoja një evolim artistik nga projekti im i parë, duke kaluar nga “dhimbja” në rigjallërim. Kjo gjë pasqyrohet edhe në videoklip. Për sa i përket pritshmërive, mendoj se është duke ecur mirë. Megjithatë, ky nuk do të jetë projekti i fundit për këtë periudhë, kështu që është një trampolinë për të karikuar njerëzit me prurje të reja.

Përveçse një këngëtare shumë e talentuar, me një zë sa të bukur aq edhe të veçantë, ju edhe i shkruani dhe kompozoni këngët tuaja? Sa e vështirë ka qenë kjo?

Sipas meje, është e rëndësishme që një artist të jetë në gjendje të mbulojë një komponent të këngës së tij, ku më së shumti do të vlerësoja tekstshkrimin, pasi askush nuk mund ta kuptojë botën e një artisti më mirë se vetë ai. Në rastin tim, kam patur dhunti edhe për shkrim, edhe për kompozim. Kur shkruaj këngët, vetvetiu më vjen edhe vija melodike, dhe nga aty jam në gjendje të orientoj edhe producentin, në lidhje me elementët që dëshiroj të përmbajë muzika.

U shpallët “Artistja më e mirë debutuese” e Festivalit të 61-të të Këngës me këngën “Kozmosi i Dashurisë”. Duket si një fillim i mbarë! Çfarë do të thotë ky çmim për ju?

Ky çmim ishte një vlerësim që nuk e prisja, pasi nuk e kisha menduar që “Kozmosi” do të ndikonte aq shumë në një vlerësim të tillë. E dija që ishte një këngë që do të thotë shumë për mua dhe që e mbaj afër zemrës, megjithatë nuk e dija se do të shquhej në këtë kalibër. Ky çmim është një motivim që të eci përpara edhe më shumë, pasi tani e di se me pak më shumë punë, kam mundësi të lë një gjurmë më të madhe.

Studion për marketing, dhe duket sikur kohët e fundit angazhimi në muzikë është rritur, ku e sheh veten më së shumti pas disa vitesh? Apo do mundohesh t’i ndërthurësh të dyja?

Një nga arsyet pse e zgjodha marketingun ishte pikërisht kjo. Dashuria ime për muzikën nuk do të shterojë kurrë, kështu që vendosa që shkolla të mos ishte një detaj pengues, por më shumë bashkëpunues në këtë prizëm.

Terreni juaj i sigurt duket se është muzika jazz dhe blues, do të qëndroni besnike e këtyre rrymave apo të pëlqen të eksperimentosh?

Kur kam qenë më e vogël, mendoja se isha bërë enkas për balada dhe zëri im përshtatet mirë me to. Mirëpo, kur fillova të kuptoja së zëri im kishte edhe veti timbrike të veçanta, e ndjeva veten më të lirë në jazz dhe blues. Frymëzohesha më shumë prej tyre dhe ndihesha e lumtur kur këndoja këngë të tilla. Mendoj që do t’i qëndroj besnike, por nëse mund të përshtatem edhe me zhanre të tjera, nuk do të hezitoja t’i provoja.

Eksperienca më e re është ajo në radio, pjesë e programit “Një këngë për ty” në Top Albania Radio. Si po të duket?

Më duket si fillimi i një rrugëtimi që e kam dashur prej shumë kohësh. Jam njeri shumë social dhe më pëlqen të flas e të shprehem, besoj se duket nga fakti që i shkruaj vetë tekstet e mia. Deri më tani, më duket sikur kam gjetur një shtëpi të re dhe po ambientohem mirë.

Vajza e stilistit të njohur Altin Micit, të ka ndihmuar të qenit bija e tij në rrugën tuaj të artit?

Jam më se krenare për tim atë dhe jam me fat që ai më mbështet në çdo hap që unë ndërmarr për karrierën time. Sado i papritur ka qenë për të ky vendim, im atë është treguar krahëhapur dhe ka besuar tek unë me vendosmëri të plotë. Është shumë kurioz rreth këtij dimensioni arti dhe gjithmonë tregon entuziazëm për idetë e mia të reja lidhur me muzikën. Kjo gjë padyshim e ka shtyrë që ta ndajë publikisht suportin e tij dhe rrjedhimisht, çdokush që e ndjek dhe e njeh, njëkohësisht më ka përkrahur edhe mua.

Lidhur pak edhe me titullin e këngës “Heartbreak Hotel” dhe me faktin që i shkruan vetë tekstet e këngës, është thyer ndonjëherë zemra e Ermës, prej nga ku ke marrë ndoshta frymëzim?

Njeri është edhe Erma dhe sigurisht që i është thyer zemra. Megjithatë, ajo ka gjetur forcën në thyerjet e zemrës dhe ka shkruar këngë. Çdo ngjarje e ndjesi shërben për frymëzim dhe çdo artist duhet të jetë në gjendje t’i marrë më të mirën kësaj. Erma me sa duket, e ka zotëruar zanatin e thyerjeve të zemrës (qesh).

Kjo verë do të jetë e mbushur me aktivitete muzikore apo ke zgjedhur të pushosh?

Mendoj se kam pushuar mjaftueshëm, ka ardhur koha të përvesh mëngët dhe t’i hyj punës. Njerëzit kanë pritur më gjatë seç duhet..!

Ku do t’i kaloni pushimet, dhe me kë (qesh)?

Pushimet do t’i kaloj në studio, po se me kë, ende nuk e dimë.

Cilat janë projektet tuaja paska më afatgjatë, përtej verës..?

Do të ketë shumë gjëra të bukura, por nuk mund t’i ndaj pa u realizuar..

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF