
Dy vite më parë këngëtarja Alma Bektashi pranoi se është ndarë nga bashkëshorti i saj Sokol Stafa. Këngëtarja e njohur tregoi se shkaku ishte tradhëtia, pasi ish-partneri i saj krijoi një lidhje jashtë martesore me një vajzë disa vite më të re.
Ndërkohë që ish-çifti vijojnë jetën të ndarë, duket se Alma po has peripeci për të zgjidhur martesën me divorc. Në një intervistë për Top Channel, Bektashi ka treguar se ka dy vite që rend dyerve të gjykatës dhe seancat gjyqësore shtyhen gjithmonë, duke u përkthyer në shqetësim psikologjik si dhe shpenzime nga ana monetare për artisten e njohur.
“Nuk e kuptoj akoma. Imagjino për mua që kam mbi 30 vite karrierë artistike skenike dhe mbi 20 vite karrierë pedagogjike në Universitetin e Prishtinës më ndodh kjo gjë. Imagjino ato femra që janë në shtëpi mund të jenë në shtëpi, që ndoshta nuk e kanë as anën ekonomike, nuk e kanë përkrahjen e familjes dhe ballafaqohen me këtë gjë që po përballem unë këto dy vite. Unë nuk e kuptoj, nuk e di çfarë procedure duhet ndjekur, kur ti kërkon që të divorcohesh sepse nuk do që t’i kalosh më ato probleme psikologjike, emocionale dhe vështirësitë financiare që mua më duhet brenda këtyre dy viteve, nuk e di as sa kam shpenzuar për këtë gjyq. Unë kam dëgjuar dhe kam parë që një divorc ndodh në pesë javë deri në gjashtë muaj. Nuk ma merrte mendja kurrë që mund të shkojë dy vite. Në 4 dhjetor bëjmë një vit që ne nuk po gjejmë dot psikologe për djalin. Më e bukura është se kur të bëhet seanca e radhës, djali im do të jetë 17 vjeç dhe është 1 metër e 80 centimetër. Çfarë mund t’i thotë psikologia, ‘shpirt i vogël, ti do me mamin apo me babin’, se kjo është jashtë logjike”; ka shprehur indinjatën e saj Alma Bektashi.



















