KreuCelebrity

Njihuni me Sherina Spahiu: Një mike e re në botën e influencerave!

Njihuni me Sherina Spahiu: Një mike e re në botën e

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Leo Arapaj

Sherina Spahiu është rritur në një familje ku fama dhe të qenit e njohur ishte diçka fare e zakonshme. Për vite me radhe daljet me të motrën, moderatoren Jona Spahiu, shoqëroheshin me shikime kureshtare, ndalesa për fotografi nga dashamirës të motrës së famshme, apo edhe thjesht përshëndetje të ngrohta nga kalimtarë të rastit. Nëse ato kohë dikush do t’i ofronte Sherinës jetën publike të së motrës, përgjigjja do të ishte një “jo” e thënë me vrik…

A post shared by Jona Spahiu (@jonaspahiuu)

Deri pak muaj më parë, kur më e vogla e familjes Spahiu, rastësisht dhe pa qenë aspak e sigurt e ktheu llogarinë e saj në Instagram në publik. Sherinës nuk ju desh shumë për të kuptuar që përpos natyrës së saj diskrete, në postet që pasonin njëri-tjetrin, ndjekësit që frymëzoheshin nga ajo shtoheshin dita-ditës. Sot, Sherina Spahiu është kthyer në një blogere që nuk ka asnjë marrëdhënie me numrat, as me të ndjekësve e as me të brandeve që bashkëpunon. E si e tillë, komunitetin e saj në rrjete sociale mami i Bliss i quan miq.

Sherina, ata që ju kanë ndjekur që nga fillimi me siguri e kanë parë se hapat drejt të qenit influencer, për ju kanë nisur në mënyrë shumë natyrale. Gati-gati duket se nuk e keni patur as qëllim?

As në mendimet e mia më të largëta nuk e mendoja që unë një ditë do të pranoja të bëja Instagramin tim publik. Edhe pse prej një kohë shumë të gjatë të gjithë njerëzit që më rrethonin, partneri, motra, shoqet, insistonin që unë kisha të gjitha karakteristikat e të qenurit një influencer/digital creator. Kjo ndoshta për syrin estetik që kam për foto ose përshkrimin në mënyrë të detajuar që ju jepja shoqeve për produkte, apo shërbime që i kisha provuar dhe testuar te vetja. E gjithë kjo gjëja e Instagramit nisi për qejf për të ndarë copëza të jetës sime, ashtu siç e kisha bërë më parë, por tashmë në një rrjet më të gjerë se ai i miqve të mi dhe nuk e besoja që vetëm në 1 vit kjo do të kthehej në diçka serioze.

Shumë influencer thonë se nuk do të sugjeronin kurrë diçka që nuk do ta provonin vetë. Por sa e vërtetë mund të jetë kjo?

Në këtë mjedisin plot me krijues digjital të rinj, sigurisht që çdokush e zgjedh vetë qasjen ndaj ndjekësve. Ashtu sikurse ceka të qenurit influencer për mua është thjesht një hobi, diçka që unë e bëj për qejf dhe ndoshta avantazhi im është se nuk është puna ime primare, gjë e cila mendoj se ndihmon të mos bëj kompromis për hir të disa përfitimeve momentale. Për mua është e rëndësishme krijimi i një kontenti cilësor dhe jam përkushtuar e investuar për të ruajtur vërtetësinë dhe transparencën, sepse mendoj që janë faktorët kyç për të krijuar një marrëdhënie të fortë dhe të besueshme në terma afatgjatë me ndjekësit e mi. Arritja ime më e madhe është që sot kam mundësinë të promovoj produkte dhe brande te të cilat kam qenë kliente për vite me radhë. 

A post shared by @sherinaspahiu

Çfarë marrëdhënie keni krijuar me komunitetin tuaj në Instagram?

Unë i konsideroj mikesha. Me shumë prej vajzave që më ndjekin, flasim aq shpesh sa ndonjëherë më duket sikur i njoh përtej jetës virtuale po asaj të vërtetë. E shpeshherë e gjej veten të postoj dhe të harroj që ndoshta duhet të jem pak më e kujdesshme, sepse tashmë Instagrami im nuk është më ai me 150 ndjekës. Ky është tregues që kam ndërtuar një raport miqësor, shumë të sinqertë e mbi të gjitha të vërtetë! 

A ju ndikojnë komentet negative? Si reagoni ndaj tyre?

Një nga arsyet që nuk e konsideroja të kisha një Instagram publik, ka qenë dhe fakti se sa mund t’i përballoja unë si individ komentet negative. Por për çudi komentet negative që kam marrë janë shumë të pakta. Shpesh pyes veten kaq e mirë e jam (qesh). Ndoshta unë kam patur fatin të më ndjekin njerëz me energji pozitive, por ndoshta dhe fakti që nuk jemi shumë, raporti për të marrë shumë komente negative sigurisht që është më i ulët. Kur shoh komente/mesazhe që nuk bëjnë sens i anashkaloj, i fshij, i bllokoj. Në të kundërt kritika, mesazhe me sugjerime i mirëpres dhe sigurisht i kthej përgjigje, duke ju argumentuar mendimin dhe qëndrimin tim. Sikurse në jetën reale na ndodh të kemi mendime të ndryshme, debate, përplasje për tema dhe çështje të caktuara në shoqëri dhe familje. 

Rrjete sociale shpesh kthehen në një fole bullizmi; ju e keni përjetuar ndonjëherë këtë fenomen, brenda apo jashtë rrjeteve sociale?

Rrjetet sociale ashtu siç kanë potencialin për të lidhur njerëzit dhe për të nxitur ndërveprim pozitiv, po ashtu përforcojnë sjelljet negative. Fatkeqësisht platformat e mediave sociale japin hapësirë për ngacmim akoma më shumë për shkak të anonimitetit, shtrirjes së gjerë dhe lehtësisë së komunikimit që ato ofrojnë. Besoj se të gjithë në një moment të caktuar jemi ndjerë të gjykuar, të përndjekur, të ofenduar në mënyrë të vazhdueshme, qoftë në jetën reale apo atë virtuale. Por sigurisht që në mediat sociale kjo gjë sikurse të tjerat amplifikohet. Mediat sociale nxisin një kulturë krahasimi, ku individët ndihen nën presion për t’u përshtatur me idealet që shoqëria ka krijuar në atë çka konsiderohet e duhur, e bukur, e saktë. 

Bliss është bekimi dhe fruti i dashurisë me partnerin tuaj, e cila është kthyer në një influencer të vogël…Ekspozimi i vajzës erdhi natyrshëm, apo ju thjesht nuk jeni mama supersticioze?

Unë nuk kam besuar kurrë te syri i keq dhe e dija që kjo gjë nuk do të ndryshonte, as me Bliss. Imazhin e Bliss e kam ndarë me ndjekësit e mi që ditën që lindi. Dhe e dija që kjo gjë do të ishte temë diskutimi me familjarët e mi, sa personi më supersticioz në familje një ditë më tha: Ndoshta duhet të jesh si ti, që nuk e mendon dhe e vret mendjen, që mos të të zërë syri (qesh).

Sa ka ndikuar fakti që jeni motra e moderatores Jona Spahiu, për t’u kthyer edhe ju pak a shumë në personazh publik?

Ah, këtu do të bëhem pak sentimentale sepse unë s’e imagjinoj dot si do të kishte qenë jeta ime pa Jonën. Të paturit Jonen si motër ka qenë bekimi më i madh në jetën time, sepse e kam patur rrugën e shtruar në çdo hap që kam marrë në jetë. Por ajo çka më lumturon është që edhe pse jam njohur si motra e Jonës, njerëzit vazhdojnë dhe më ndjekin për gjërat që kanë pëlqyer tek unë, te Sherina.  

Si ndjekës qartasi kemi kuptuar që keni një marrëdhënie shumë të mirë, por për çfarë debatojnë më shumë Sherina dhe Jona?

Ne jemi kaq të njëjta dhe kaq ndryshe njëkohësisht. Unë dhe Jona jemi karaktere komplet të ndryshme. Unë jam njeri shumë i organizuar, shumë e përpiktë dhe nëse ka diçka që debatojmë përditë është fakti që Jona vonohet. 

Cila ja dëgjon më shumë këshillat tjetrës?

Unëëë, sigurisht! Ndoshta ngaqë ka qenë motra e madhe dhe e kam patur si pikë referimi për çdo gjë. Nuk bëj asnjë zgjedhje pa marrë mendimin e saj, që nga gjërat më të thjeshta siç janë kombinimi i veshjeve, e deri te gjërat më të rëndësishme e serioze. Ndërsa Jona është fiks shprehja: Pyet 7-8 vetë e bëj si di vetë!

Mund të na tregoni një tipar, ves, vlerë apo çfarëdo që publiku nuk njeh për Jonën?

Nëse më pyesni mua, sigurisht që do të them vetëm fjalë të mira për të. Po nëse ka diçka që e kam zili te Jona është fakti që është shumë tolerante në familje, në shoqëri, në punë, kudo dhe me këdo. Është shumë e qetë dhe e durueshme dhe nëse ti debaton me Jonën, është e sigurt që faji është i yti (qesh).  

Përveç të qenit influencer, në ç’formë do ta shihnit veten si një personazh publik?

Unë kam përfunduar studimet për Shkenca Komunikimi, në profilin menaxhim marketing. Momentalisht përpos të qenurit influencer, menaxhoj një mini-faqe online me ‘luxury pre loved stuff’. Gjatë këtyre viteve kam kuptuar që kam goxha aftësi sipërmarrëse, ndaj çfarëdo të vendos të bëj, besoj se nuk do t’i largohem fushës ku jam.  

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF