
Dele Alli ka treguar me guxim se ai u dërgua në rehabilitim për të larguar varësinë nga tabletat e gjumit dhe për t’u përballur me fëmijërinë e tij traumatike.
Në një intervistë zemërthyese për ‘The Overlap’, sulmuesi i Evertonit ka folur hapur për vështirësitë e tij në vitet e fundit.
Në një rrëfim të sinqertë përballë Gary Neville, Alli ka zbuluar se ka kaluar një periudhë në një institucion rehabilitimi si dhe ndau detaje nga fëmijëria e tij traumatike, duke përfshirë zbulimin se ai ishte ngacmuar seksualisht në moshën 6 vjeçare nga një mik i nënës së tij.
“Fëmijëria ime, është diçka për të cilën nuk kam folur aq shumë, për të qenë i sinqertë. Dua të them, mendoj se ka pasur disa incidente të shëmtuara që më kanë shenjuar. Pra, në moshën gjashtë vjeçare unë u ngacmova seksualisht nga një mik i mamasë sime, që vinte në shtëpi. Nëna ime ishte e alkolizuar. Në moshën shtatë vjeçare fillova të pi duhan, ndërsa tetë vjeç fillova të merrja drogë”; tregoi futbollisti i famshëm në rrëfimin e tij të ndjerë.
Dele Alli aktualisht nuk ka asnjë marrëdhënie me nënën e tij.



















