
Ajo është motra e vogël e dy këngëtarëve të famshëm nga Kosova. Ndërkohë që Dren dhe Art Abazi e kanë shtruar suksesshëm rrugën e tyre, Rina është ylli i fshehur i familjes, fiziku i së cilës nuk lë askënd indiferent. Në rrjete sociale njihet si influencer, ndonëse numri i madh i ndjekësve nuk është qëllim për të. Si profesion mirëfilli, Rina është e angazhuar në disa projekte të huaja në Kosovë, që kanë për synim zhvillimin e vendit përmes investimit në efiçiencë të energjisë. Ndërsa për Drenin dhe Artin, ajo mbetet motra e vogël, për të cilën dy vëllezërit janë protektivë aq sa në sytë e tyre asnjë kandidat për partner nuk është mjaftueshëm i mirë për Rinën…
Rina ti i plotëson të gjitha kriteret për të qenë influencer; ke sharmin, hijeshinë, fizikun, elegancën…por nuk ke shumë ndjekës në Instagram. Kjo do të thotë që nuk e ke qëllim numrin e tyre?
Numrin e lartë të ndjekësve në Instagram nuk është që nuk e kam qëllim, mirëpo edhe nuk e dua medoemos. Unë nuk jam ndonjë fytyrë publike që t’më njohin shumë njerëz. Gjithashtu, kur bëhet fjalë për influencing, jam shumë selektive sa i përket brandeve që pranoj të promovoj dhe bashkëpunëtorëve me të cilët zgjedh të punoj. Nuk bëj asgjë jashtë natyrës sime vetëm sa për të tërhequr followers. Ata që i kam, janë kryesisht rrethi im, që më njohin për së afërmi dhe që më pëlqejnë me të vërtetë kush jam dhe çfarë bëj.
Teksa shohim fotografitë e tua në Instagram, portreti, fiziku, stili i veshjes na japin përshtypjen e një vajze parisiane në rivierën franceze….Janë thjesht genet apo çfarë ka ndikuar që Rina të ketë një paraqitje të tillë?
Hmm…besoj që po jetojmë në një kohë, kur tiparet që i përmendët nuk janë vështirë të hasen te vajzat shqiptare. Kjo ndoshta se qasja në botën e modës dhe së bukurës është tejet e lehtë, dhe shija po rafinohet çdo ditë e më tepër. Sidoqoftë, ajo çka unë gjithmonë kam vlerësuar më shumë se gjithçka tjetër është thjeshtësia dhe origjinaliteti dhe besoj që këto të dyja më karakterizojnë pak më shumë dhe kanë kontribuuar në paraqitjen që e kam sot.
Në çfarë je investuar më shumë sa i përket karrierës (shkolla, profesioni, puna aktuale)?
Unë kam mbaruar shkollën për komunikim dhe marketing dhe ka më shumë se tetë vite tanimë, që unë jam e angazhuar në këtë profesion. Momentalisht, jam në disa projekte të huaja në Kosovë, që kanë për synim zhvillimin e vendit përmes investimit në efiçiencë të energjisë dhe qeverisjes së mirë në vend. Edhe pse, ndërlidhet mjaft shumë me profesionin që e praktikoj dhe e bëj me shumë pasion, të jem influencere nuk është diçka në të cilën kam investuar dhe që kaloj shumë kohë në të. Siç e thashë, bashkëpunëtorët dhe brandet më të cilat punoj i përzgjedh në kuadër të shijes dhe natyrës sime. Ato vetëm sa më plotësojnë stilin e jetës dhe nuk më ndërhyjnë në profesionin dhe jetën e përditshme timen.
Si e ke marrëdhënien me televizionin?
Këtu nuk di ç’të them (qesh). Isha rreth 18 vjeçe kur u angazhova në Klan Kosova, për herë të parë dhe nuk qëndrova gjatë. Ndoshta është në natyrën time që çdo gjë që bëj, ta bëj në mënyrë perfekte dhe të prezantoja në atë moshë, nuk është se dija ta bëja më së miri, andaj edhe u shkëputa nga televizioni. Kam patur disa oferta ndërkohë, mirëpo asnjëherë nuk e kam menduar dhe s’jam përkushtuar në atë drejtim.
Do të doje të ishe pjesë e ekranit në Kosovë apo në Shqipëri?
Pse jo! Ndoshta edhe do të vijë momenti të kthehem dhe ta marr më me seriozitet këtë fushë.
Si urë katapultimi shpesh personazhet përdorin ‘reality show-n’ “Big Brother”. Do të bëheshe pjesë?
“Big Brother” është platformë e mrekullueshme për çdokënd me synime të qarta në karrierë apo edhe thjesht qëllime personale. Të gjithë ata që bëhen pjesë e një ‘reality show’ të tillë, i konsideroj tejet të vendosur dhe të guximshëm. Sidoqoftë, unë nuk besoj se do të mund të qëndroja as edhe një javë brenda, andaj as nuk do të hyja fare. Jam mëse e lidhur me familjen dhe shoqërinë dhe pa ndonjë shkak të fortë, as nuk do ta mendoja të largohesha nga ta. Aq më tepër, të mos jem në kontakt të përditshëm me ta dhe të mos di asgjë për ta, as nuk do të mund ta imagjinoja fare.
Pak mund ta dinë që ti je motra e dy vëllezërve këngëtarë shumë të njohur, Dren dhe Art Abazi. Çfarë marrëdhënie ke me ta?
Jam shumë, shumë e lidhur me të dy. Ndoshta edhe si e vogla e familjes, gjithmonë kanë qenë tejet protektivë dhe të kujdesshëm ndaj meje, mirëpo asnjëherë deri në atë masë që të më llastojnë, të më bëjnë dembele apo të varur nga ta. Më konsultojnë dhe i konsultoj për çdo gjë, madje edhe për gjëra pak të rëndësishme si për dukje/veshje apo për postime në rrjete sociale, për të cilat edhe mund të mos pajtohemi ndonjëherë, mirëpo në fund e konsiderojmë dhe e vlerësojmë mendimin e njëri-tjetrit.
Me cilin prej tyre je më e lidhur dhe që mund të bisedosh edhe për jetën tënde dashurore?
Kur isha më e re, s’është që ndjehesha edhe aq e lirë të flisja me ta për lidhjet që i kam patur. Ndonëse, për shkak se jo gjithmonë pajtoheshin apo i aprovonin zgjedhjet e mia. Sidoqoftë, asnjëherë nuk më kanë penguar në vendimet e mia. Tanimë që jam vajzë e pjekur, patjetër që ndjehem më e lirë të flas me të dy. Edhe pse, Dreni dhe Arti, janë tipa të ndryshëm dhe i kam temat e caktuara për të cilat bisedoj me secilin, kur vjen puna te lidhjet e mia dashurore, do t’iu drejtohesha të dyve. Ajo për çka jam e sigurt është se nuk do t’iu bëhej qejfi asnjërit dhe aq shumë (qesh).
Dreni dhe Arti janë dy çuna shumë të mikluar nga vajzat. Çfarë marrëdhënie ke apo ke patur me partneret e tyre?
Për dallim nga ata, që jo gjithmonë kanë pëlqyer shijen dhe zgjedhjet e mia, unë i kam adhuruar partneret e tyre. Ndoshta është edhe në natyrën time që t’i dua dhe të lidhem shpejt me njerëz, mirëpo edhe nuk e mohoj faktin që të dy dinë të zgjedhin.
Po ata me partnerin tënd? Janë vëllezër xhelozë/fanatikë për motrën e tyre?
Po, janë madje më shumë se ç’duhet (qesh). Siç thashë pak më lart, ndoshta se ende më shohin si të voglën e shtëpisë e askush nuk i duket i denjë për mua (qesh), besoj si çdo vëlla tjetër për motër. E rëndësishme është që këto lloj ndjenjash nuk zgjasin shumë. Mund të mos flasim dy-tri ditë, mirëpo s’mund të rrinë më gjatë se aq pa më dërguar ndonjë meme në Instagram.
Cila është ajo pjesë e karakterit të Drenit dhe Artit që publiku nuk e njeh?
Nuk besoj që ka shumë anë të tyre që nuk i njihni. Sot, rrjetet sociale po na shpalosin shumë tipare të personalitetit tonë. Sidoqoftë, ajo çfarë i karakterizon të dy dhe që ndoshta nuk është edhe aq e dukshme për publikun është altruizmi dhe afërsia e tyre me njerëzit. Janë tejet të ndjeshëm dhe gjithmonë në gatishmëri të ndihmojnë këdo. Kanë shoqëri të gjerë pas së cilës janë shumë të dhënë dhe i kushtojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre.
Rina, je e dashuruar?
Jo, nuk jam. Qenka më e vështirë se sa e mendoja (haha).



















