KreuCelebrity

Ana Kallaku si i preka ëndrrat e metropolit

Ana Kallaku si i preka ëndrrat e metropolit

Rrugëtimi i saj nuk ka qenë aspak i lehtë. Si fëmijë i rritur disa kilometra larg metropolit, ëndrra se një ditë do të prekte studiot televizive si moderatore, ndonjëherë dukej e guximshme. Por duket se në familjen Kallaku, së pari aktori Besi e mandej e moderatore Ana, fati dhe talenti u bënë bashkë dhe qe e thënë që fama të trokiste për të dy, motër e vëlla. Një zemër me dritë dhe këmbët në tokë, të çojnë më lart se asgjë tjetër është një togfjalësh, thënë shpesh nga prindërit, që për Anën ka qenë dritë udhërrëfyese…

Ana, pak javë më parë mbyllët sezonin televiziv në Ora News. Duke qenë një program pasditeje, në një fashë orari ku edhe ekranet e tjera janë investuar shumë ndër vite për programet e tyre, ka qenë kjo një sfidë për ju?

Është e vërtetë, kanë qenë dy sezone shumë sfidues për mua, por njëkohësisht, një investim në të gjitha dimensionet që më ka dhënë kënaqësi pafund. Kur puna bëhet me pasion e dashuri të madhe, ashtu sikurse me njerëzit e duhur pranë vetes, sfidat bëhen më të bukura. Me emocione të vërteta dhe me thjeshtësi, kemi shkuar pranë njerëzve dhe jemi përpjekur të sjellim një anë ndryshe të ditëve të tyre. Pasditja e “Jeto me Orën” është një projekt që e ka marrë plotësisht zemrën time!

“Jeto me Orën” do të vazhdojë edhe sezonin tjetër, apo do të kemi surpriza?

Në këtë periudhë po merrem me diçka tërësisht ndryshe. Ka marrë kohën time fizike dhe përkushtimin maksimal, por televizioni është vendi ku më fle zemra. Sezoni tjetër do të vijë me projekte e risi të bukura, ashtu sikurse do të vijoj me punën tjetër që po e bëj me dashuri të madhe shumë!

Cili është formati televiziv që ‘fshehtësisht’ e keni ëndërruar ta moderoni?

Çdo format që ka në brendësi histori njerëzore dhe mesazhe të forta force, është terreni im i duhur!

Po ai që s’do ta bëje kurrë?

Nuk do të thosha “kurrë”!

A ka diçka që do të të largonte nga televizioni? Çfarë?

Nuk e kam menduar, por vetëm i le gjërat të ecin natyrshëm. Kërkoj gjithmonë vullnetin e Zotit në jetën time, dhe e di dhe e besoj që do të jem në vendin e duhur pavarësisht çdo gjëje.

Ana, ju jeni bërë mami në moshën 22-vjeçare. Do ja këshillonit vajzës suaj ta përjetonte atë ndjesi në moshë të re?

Vajzës sime i them çdo ditë që dashuria është dhurata më e vyer që kemi në jetë! Në moshën 22-vjeçare unë u bëra mami dhe u bëra njeri më i mirë njëkohësisht! Dhe i them gjithashtu, që në çdo vendim të sajin, unë dhe ne, familja e saj, do të jemi me të dhe për të, gjithmonë!

Në familjen Kallaku fama është ulur ‘këmbëkryq’. Jeni ju, Bes Kallaku, Xhensila Myrtezaj e deri edhe te gjyshja juaj Ija. Ka vetëm sjellje divash në familjen tuaj? Cili prej jush ka teka prej të famshmi? Cili është më me këmbë në tokë?

Vetëm sjellje “divash” nuk ka. Në familjet e shtëpitë tona, ne jemi familjarë, asgjë më pak apo më shumë. Jemi rritur duke dëgjuar çdo ditë nga prindërit që një zemër me dritë dhe këmbët në tokë, të çojnë më lart se asgjë tjetër.

Cili ka më shumë humor?

(Qesh) kjo dihet, duhet një përgjigje? Ai që ka bërë një Shqipëri të tërë për të qeshur në gjithë këto vite!

Duke qenë se Besi u shfaq si personazh publik më herët se ju, a mendoni se ka ndikuar ai në faktin që dhe ju zgjodhët të ishit pjesë televizionit?

Nuk do ta thosha sepse tek unë gjërat erdhën shumë ngadalë dhe pa e kërkuar detyrimisht televizionin. Ka qenë shumë natyrshëm e gjitha.

Kur ju dhe Besi ishit të vegjël, cili kishte më shumë të dhëna se një ditë do të bëhej i famshëm?

Të dy kemi qenë prezentë në çdo shfaqje shkolle e çdo aktivitet artistik që organizohej në Fushë-Krujë. Besi është më i madh se unë dhe i dha shumë më shpejt shenjat që rruga e tij do të ishte e artë. Duke e parë si përpiqej, sa e donte këtë gjë, e çdo sakrificë të të gjithë familjes për ta çuar përpara, sot ndihem mirënjohëse e falënderuese për shembullin e tij dhe suksesin e tij po ashtu.

Na trego një defekt të tijin që ne nuk e dimë?

Në sytë e mi, më i miri!

Kemi parë që edhe me Xhensilën keni marrëdhënie shumë të mira. Meritë e juaja apo e saj?

E gjitha e dyanshme.

I keni rezervuar pushimet për këtë verë?

Kemi rezervuar disa ditë në fillim të muajit korrik, më tej, duke parë e duke bërë.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF