Dieta e pranon se qasja e saj në industrinë e ndikueseve të modës nuk ka qenë e vështirë, për shkak se e motra Sarah ja kishte shtruar rrugën. Megjithatë kreativiteti dhe disiplina e fituar nga studimet për interior design, e kthyen shumë shpejt Ditean në një blogere autentike.
Ditea përpos profesionit tuaj si interior design, ju njiheni edhe si influencer. Sa ndikojnë këto dy profesione/pasione te njëri-tjetri?
Mendoj se unë kam qenë e prirur gjithmonë rreth të bukurës dhe kreativitetit. Janë dy profesione që ndikojnë dhe deri diku plotësojnë njëra-tjetrën. Unë përdor kreativitetin që më karakterizon dhe disiplinën që kam mësuar në shkollë dhe në punë si arkitekte te puna si influencer, ndërsa kontaktet dhe strategjinë e marketingut që kam mësuar si influencer në fushën e arkitekturës. Gjithmonë përpiqem të shfrytëzoj çdo njohuri që kam ose kam marrë në çdo situatë që jam përballur, për t’i bërë këto dy profesione të funksionojnë sa më mirë dhe mos të pengojnë njëra-tjetrën.
Jeni investuar në vite studimi sa i përket design; ku po e ushtroni profesionin tuaj aktualisht?
Jam investuar goxha. Unë them gjithmonë që të futesh në Politeknikun e Milanos është e vështirë, por të dalësh është akoma dhe më shumë. Aktualisht po merrem vetëm me projekte private si ‘freelancer’, duke u përpjekur t’i balancoj të dyja Instagramin dhe interierin. Po punoj shumë që në një të ardhme të afërt të kem studion time të arkitekturës.
Njëkohësisht në rrjetet tuaja sociale njiheni më shumë si ndikuese mode/lifestyle. Si lindi ky rrugëtim?
Ky rrugëtim nisi në momentin që unë u ktheva nga Italia në vitin 2019. Mund të them që deri diku e kisha rrugën e shtruar, se në këtë fushë ishte Sarah që kishte disa vite që u merrte. Në fillim ka qenë pak e vështirë, sepse punoja me kohë të plotë dhe të gjitha energjitë e mia ishin të fokusuara në punë, duke e bërë gati të pamundur marrjen me rrjetet sociale. Këmbëngulja e Sarës dhe interesi që filluan të shfaqnin njerëzit më bënë që t’i përkushtohesha më shumë. Mendoj që ne bëjmë një skuadër shumë të mirë bashkë, plotësojmë njëra-tjetrën në shumë aspekte.
Çfarë e bën një influencer të suksesshme?
Kreativiteti, përkushtimi dhe puna. Kjo është një punë që do kreativitet dhe do që të jesh origjinal, të kesh një stil tëndin. Duhet të vish sa më afër njerëzve me natyralitet dhe të jesh i prekshëm nga ata. Mendoj që ky është një profesion si gjithë të tjerët. Kush punon fort dhe e bën këtë punë me pasion ka sukses. Ashtu si punët e tjera do investim dhe frytet i sheh më vonë.
Si i bëni ju përzgjedhjen e brandeve/ bizneseve me të cilët bashkëpunoni?
Unë personalisht bëj një seleksionim të detajuar. Pranoj të bashkëpunoj me brande që më bëjnë të ndihem mirë dhe i përshtaten profilit tim. Po mundohem të futem në tregun ndërkombëtar, kështu që synimi im është të bashkëpunoj me brande që njihen dhe jashtë, për të patur një portfolio sa më të pasur.
Po ju vetë nga kush influencoheni? Kush janë ndikuesit tuaj të modës?
Si të gjithë dhe unë përpiqem të ndjek modele influencerash jashtë, por gjithmonë pa ndikuar në personalitetin tim. Ndërsa në Shqipëri sigurisht që frymëzohem nga Sarah Berisha (qesh). Shumë pak preferoj të ndjek trende. Trendet dalin shumë shpejt nga moda, janë të përkohshëm, prandaj dua të ruaj gjithmonë stilin tim. Mendoj se ndjekësit më ndjekin pikërisht për këtë. Unë s’mund të vesh diçka që nuk më shkon vetëm se është trend i momentit.
Cili është, sipas jush, roli i ndikuesve të mediave sociale në botën moderne të modës?
Roli është të ndikojnë sadopak në stilin e masës, por mendoj se nuk është vetëm kaq. Unë e shoh si një përgjegjësi faktin që më ndjekin shumë ndjekës dhe kam ndikim te ta. E përdor gjithmonë platformën time të flas për tema të caktuara, që mbase nuk kanë lidhje me modën por e di që mund t’i japin zë shumë personave që e mendojnë si puna ime. Prandaj them që të paturit një platformë me shumë ndjekës është përgjegjësi.
Në familjen tuaj nuk jeni e vetmja blogere. Motra juaj Sarah Berisha, e cila njihet edhe më gjerësisht në publik edhe për shkak të pjesëmarrjes në ‘Big Brother VIP’, është po ashtu një influencere. Ka garë mes jush?
Mes nesh nuk ka patur kurrë garë, si të vogla por edhe tani. Kush na njeh nga afër, por dhe larg, besoj e kupton shumë mirë raportin që ne kemi me njëra-tjetrën. Aq i ngushtë është raporti mes ne të dyjave, sa ndonjëherë më duket sikur Sarën e kam si fëmijë jo si motër dhe s’mund ta besoj që tani është rritur.
Sa ndikoheni nga njëra-tjetra në rrugëtimin e secilës?
Ndikohemi shumë. Përpiqemi gjithmonë të ndihmojmë dhe ta këshillojmë njëra-tjetrën. Çdo bashkëpunim, çdo takim që bëhet në fillim diskutohet pastaj vendoset. Kemi bërë gjithmonë kështu dhe do të vazhdojmë të bëjmë për sa kohë ndajmë të njëjtin profesion.
Cila prej jush ka karakter më të fortë?
Mendoj që të dyja, thjesht Sarah është pak më e ndjeshme. Zakonisht jam unë ajo që i marr në dorë situatat.
Cila gjykon më ftohtë, është më objektive?
Përsa i përket punës, mendoj unë. Unë përpiqem të analizoj më gjatë për mos të dalë në konkluzione të nxituara, s’mund të them të njëjtën gjë për aspektin personal!
Cila ka më shumë para në llogarinë bankare?
Mendoj Sarah (qesh).
Ndërkohë ju jeni më diskrete në çështjet e zemrës. Si është statusi juaj?
Jam e lumtur!
Dy motra të apasionuara pas modës, me siguri i keni projektuar fustanet e nusërisë që do të vishni një ditë. Çfarë stili janë?
Më beso që në familjen tonë nuk flitet akoma për martesë. Të paktën nga ana ime, por unë e di që dua diçka të thjeshtë dhe elegante, dasmën e dua në Toscana në një ceremoni intime me pak të ftuar. Se çfarë do të ndodhi deri ditën që do të martohem, kjo mbetet për t’u parë.