Dokumentari “Kim vs Kanye: Divorce” tashmë është i disponueshëm për t’u parë në platformën Discovery+. Dokumentari tregon historinë e ndërlikuar të dashurisë mes yllit televiziv dhe reperit. Dashuri e cila filloi në 2014 me martesën përrallore në Firence dhe përfundoi në 2022, pas vitesh të betejave ligjore, krizave dhe akuzave të të gjitha llojeve.
Marrëdhënia mes ish-çiftit, edhe më shumë se një vit pas divorcit zyrtar, ende shkakton diskutime. Pavarësisht se në “The Kardashians”, Kim ka trajtuar çështjen e divorcit dhe marrëdhëniet që erdhën pas përfundimit të martesës së saj, ka ende shumë për të thënë.
Dokumentari trajton ndarjen mes të dyve nga një këndvështrim i dyfishtë. Në përmbledhjen zyrtare të “Kim vs Kanye: Divorce”, thuhet, “Një rrëfim i brendshëm i divorcit të Kim Kardashian dhe Kanye West, i zbuluar nga avokatët e përfshirë dhe miqtë e çiftit.
Rrëfime nga të dyja këndvështrimet, tregohet se si Kanye luftoi për të shpëtuar martesën, dhe pse Kim ishte e dëshpëruar për t’i dhënë fund asaj”.
Kujtojmë që gjatë martesës Kim Kardashian dhe Kanye West patën katër fëmijë, North, Saint, Chicago dhe Psalm.