
Shkrimtarja e njohur italiane Michela Murgia u shua në moshën vetëm 51 vjecare pas një beteje me sëmundjen e kancerit. Ajo vetë kishte rrëfyer muajt e fundit se vuante nga karcinoma e qelizave renale të stadit të katërt. Murgia vendosi që këto muaj t`i ndante me të gjithë, duke treguar publikisht përjetimet e saj, jo vetëm përmes rrjeteve sociale, por edhe me librin më të fundit, “Tre kupa. Ritualet për një vit krize”, të botuar në pranverë.
Edhe pse e dinte se nuk kishte shumë kohë, Mikela vendosi të lidhte kurorë në mes të korrikut me aktorin, regjisorin dhe muzikantin Lorenzo Terenzi.
E lindur në Cabras, në provincën e Oristanos, Michela Murgia konsiderohet si një nga shkrimtaret më me influencë të brezit të saj. Debutimin e beri në vitin 2006 me “Bota duhet ta dijë”, një libër që denonconte botën e call center-ave, i lindur nga vetë përvoja e saj personale si një punonjëse me të ardhme të pasigurtë, mbi bazën e të cilit Paolo Virzì realizoi filmin “E gjithë jeta përpara”. Suksesi i madh megjithatë erdhi tre vjet më vonë me “Accabadora”, fitues i “Campiello” ndër çmime të tjera, përmes të cilit u dha zë matriarkave sarde, sa të pasura në traditë, aq edhe të panjohura.
Ndër veprat e saj të mëvonshme spikasin “Presente”, eseja e shkurtër për dhunën ndaj ndaj grave, “E vrava se e doja (E rreme!)”,”Ferri është një kujtim i mirë”, eseja “Udhëzime për t’u bërë fashistë”, ” Ne jemi stuhia”, “Mbylle gojën”, “God save the queer. Katekizëm femëror” dhe në fund “Tre kupat”, që menjëherë u pozicinua në krye të listës së shitjeve.
Shtëpia botuese Einaudi e kujtoi me një postim në Twitter, duke cituar fillimin e librit të tij “God Save the Queer”: “Zoti më do ashtu siç jam dhe do të dua të jem, apo do të mbetem një çrregullim objektiv në rendin e krijimit, një anomali programimi e destinuar për t’u ulur në margjina, për t’u parë me dyshim si një mëkat ambulant vetëm për faktin e thjeshtë se jam kështu sic jam?”.