KreuStil Jetese

Për t’u lexuar! Kolë Idromeno – themeluesi i artit realist shqiptar!

Për t’u lexuar! Kolë Idromeno – themeluesi i artit realist

Nga Ilda Lumani

Çdo verë përpiqem, që të paktën një titull, një libër që lexoj të ketë një vlerë historike, arti, faktesh, të dhënash, dijesh, njohurish, zbulesash, që në fund të fundit të marr diçka përtej një historie fiction, që më magjeps për disa ditë… Nga këto pushime dua të ndaj me miqtë e mi përshtypjet për një libër, që më ra në dorë në nëntor, në Panairin e Librit 2022, por që e shijova këto ditë vere, buzë detit me një sadisfaksion të pamat, Kolë Idromeno – themeluesi i artit realist shqiptar!

Kolë Idromeno, piktori, të cilin të gjithë e njohim prej kryeveprës së tij “Motra Tone”, mu shpërfaq në një dimension të panjohur më herët nga unë, përmes autores, studiueses Eleni Laperi! Një duartrokitje dhe vlerësim për 10 vitet kërkim, hulumtim, mbledhjesh dhe kërkim arkivash, takim me të njohurit e trashëgimtarët e piktorit… Përtej njohjes së thellë të jetës, prejardhjes, rritjes, formimit, kushteve dhe rrethanave në të cilat jetoi, talentit apo orientimit të familjes, vetëstudimit, praktikimit nga fotografia, – si një nxënës dhe mik i fotografit italian Pietro Marubi, banues në Shkodër, te piktura, nga të dhënat e pakta, por tejet interesante të jetës personale, te marrëdhëniet me pasardhësit, me miqtë, me humanistët e kohës, me të cilët ndau kohën, pikëpamjet për jetën, botën, artin, por mbi të gjitha të vendit dhe kushtet në të cilat Shqipëria jetonte, e në ato që po ndërtonte e ndryshonte!

Libri më tërhoqi që në nisje, të dhënat historike, kulturore, familjare, ardhja në Shkodër e të atit Arsen Idromenos, “një paragonjat shqiptar i lindur dhe i rritur në Korfuz, ku ishte vendosur familja e tij”, lidhjet që krijoi në këtë kryeqendër të Veriut, terreni, ku u formua i biri Nikollë Idromeno, paraqesin një panoramë kaq ekzotike edhe për historinë e vetë zonës, qytetit, por edhe vetë Shqipërisë!

Përshkrimi i jetës dhe mjedisit të Shkodrës, sillte detaje që rrokën menjëherë kureshtjen time. Analiza, që studiuesja Laperi bën për pikturën dhe fotografinë e Idromenos, për arkitekturën e skulpturën, prova e gjallë e së cilës është Kafe e Madhe në Shkodër, shprehen me një gjuhë kaq të qartë dhe profesionale njëherësh, por të kuptueshme dhe tërheqëse për çdo lexues, që do të njohë më tepër rreth artit pamor shqiptar, rreth figurës se Kolë Idromenos, i cili ishte: “Kola qe piktor, skulptor, arkitekt, inxhinier, fotograf, muzikant, vizatues, marangoz dhe kovaç”, ndërsa “me krijimtarinë e tij piktura shqiptare shënoi ‘Vitin Një’, të rrugës së saj si pikturë e rrymës realiste”, shkruan studiuesja Eleni Laperi.

Kam qenë gazetare kulture në kohën, kur vepra “Motra Tone” u dërgua për restaurim, në Laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit, pranë Muzeut të Luvrit, ishte një ngjarje në fakt.

Mendoj se ngjarje është dhe ky libër që përmbledh, si asnjë botim më parë, jetën dhe figurën e Kolë Idromenos.

Për t’u lexuar nga çdo njeri, që ka etje dhe dëshirë të njohë më shumë!

Libri është botuar nga shtëpia botuese “Mediaprint”, e gjeni në të gjitha libraritë!

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF