Jahti “Koru” i themeluesit të kompanisë “Amazon” Jeff Bezos ka mbërritur në Durrës mëngjesin e sotëm.
Mjeti lundrues i cili është i dyti më i madh në botë dhe kushton 500 milion dollar, ka ndaluar në qytetin bregdetar shqiptar për t’u furnizuar me karburant dhe për të vijuar lundrimin drejt Italisë.
Jahti u dorëzua në Mallorca në prill të këtij viti dhe përdor energjinë kinetike të gjeneruar nga velat, por si shumica e jahteve me vela, ai përdor dhe fuqinë motorike.
Furnizimi me naftë me procedurë tranzit i sjell shtetit në këtë rast nëpërmjet taksës së luksit të vendosur së fundmi 6,8 milion lekë. Aktualisht, jahtet e marrin me 1,1 euro litrin e naftës, plus taksat.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme Detare në Durrës, numri i mjeteve lundruese turistike që kanë hyrë në portet e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit për periudhën: 1.01.2023- 31.08.2023 është 44 kroçiera dhe 1798 jahte deri më 31 gusht. /Top Channel.