Një vit para zhvillimit të Lojërave Olimpike, Parisi po lufton kundër epidemisë së çimkave. Por këto insekte është e vështirë t’i luftosh. Të njëjtën përvojë ka pasur edhe autorja e DW që shkroi këtë artikull. Një nga gjërat më të këqija që shkaktojnë çimkat, dhe ata që nuk e kanë provuar ndonjëherë nuk e dinë, është paniku që shkaktojnë dhe që zgjat me vite të tëra edhe pasi ke shpëtuar prej tyre. A është pickimi i tyre i ndryshëm nga pickimi tipik i mushkonjave? Kur sheh një pickim mund të thuash pa problem që është pickim çimke! Po kur sheh një varg pickimesh rreshtuar njeri pas tjetrit? Edhe atëherë mund të thuash që është pickim çimke! A keni gjetur ndonjëherë në dyshemenë e banesës një insekt që nuk e dini çfarë insekti është? Pikërisht – ai mund të jetë çimkë!
Njeriu bëhet paranojak. Më besoni, unë e di mirë për çfarë po flas. Disa ditë pas kthimit nga një pushim që kalova në Rumani në verë të vitit 2016, unë pashë që kisha në lëkurë gunga që më kruheshin shumë. Kur shkova tek mjeku mësova se ishte tamam ajo prej së cilës kisha frikë se kish ndodhur, më kishin zënë çimkat.
"Ka të dhëna që tregojnë se numri i çimkave është rritur shumë dhjetë vitet e fundit,” thotë Heather Lynch, studiuese në fushën e punës sociale në Universitetin Caledonian të Glasgout. Lynch merret me çimkat, në kuadër të një projekti studimor.
Claudia Kasig nga firma JamiroTec, që merret me luftimin e insekteve të dëmshme, e di që numri i çimkave është rritur vitet e fundit nga 4000 në 6000 përqind. Nuk jemi duke bërë ndonjë gabim, shifrat janë vërtet kaq të larta - 4000 deri 6000 përqind!
Lynch thotë, se ka shumë arsye pse çimkat janë ringjallur. Udhëtimet e shumta, janë një nga arsyet, kur njerëzit fluturojnë me avionë, kalojnë natën në hotele dhe kështu përhapin çimka. Studiuesja paralajmëron edhe nga rreziqet që vijnë prej kthimit imun të çimkave ndaj kimikateve që përdoren për t'i luftuar ato.Dhe ju jeni duke u kruajtur? Atëherë pyesni si mund ta dini nëse ju kanë zënë apo jo çimkat. Vetë pickimet, puçrat e ngritura që ndodhen në një linjë në lëkurë, janë dëshmia e qartë se ju kanë zënë çimkat. Por ju mund të gjeni në çarçaf edhe pika gjaku dhe njolla të vogla të zeza. Gjaku vjen nga pickimet, pikat e zeza janë jashtëqitja e çimkave, pasi ju kanë pickuar juve mirë e mirë. Tingëllon e pështirë, por për fat të keq kështu ndodh. Ky lloj paraziti ka qenë i përhapur në shekullin e 20-të, pastaj u zhduk për disa dekada. Dhe që nga fundi i viteve nëntëdhjetë, çmikat janë kthyer sërish. Ato gjenden kudo, jo vetëm në hotelet e lira e të papastra, por edhe në hotelet me apartamente luksoze e të shtrenjta, gjenden në mobiljet e përdorura që blihen në eBay, gjenden në valizhet që ndodhen pranë valizheve tuaja në bagazhet e avionëve. Dhe prej andej ato kalojnë në banesë.
Ndërroni çarçafët dhe kontrolloni dyshekun. Ngrijeni dyshekun dhe kontrollojeni nga poshtë, sepse aty ndodhen me siguri buburrecat ovalë, ngjyrë kafe, vetëm disa milimetra të gjatë.
Gjetët ndonjë? Sa keq. E vetma gjë që mund të të ndihmojë në këtë rast është të marrësh në telefon shfarosësin e insekteve të dëmshme. Sepse është pothuajse e pamundur t'i luftosh çimkat vetë. Banorët e banesave me qira në Glasgou, të cilët janë intervistuar nga Lynch kanë disa gjëra për të thënë për këtë, por për këtë do të flasim më vonë.
Dhe çfarë bëjnë tamam shfarosësit e insekteve të dëmshme, për të çliruar banesën tuaj nga shpirtërat e veckël torturues? Jo të gjithë eskpertët e spërkasin me helm banesën në gjithë sipërfaqen e saj. "Ajo që bëjmë ne është sjellja e pajisjeve dhe nxehja e shtëpisë së klientit në temperatura nga 60 në 70 grad Celsius”, shpjegon Kasig. Ajo është përfaqësuese zyrtare e firmës JamiroTec, një firmë që merret me luftimin e insekteve të dëmshme me qendër në Bremen. "Kjo temperaturë shkakton rritjen e temperatures të çimkave deri në 48 gradë. Kështu bllokohet prodhimi i proteinave dhe çimkat ngordhin.”
Por edhe tek kjo metodë përdoret pak helm. Helmi hidhet në rrugët prej ku mund të largohen çimkat, në mënyrë që sa më pak prej tyre të shpëtojnë gjallë. JamiroTec përdor po ashtu qenin që nuhat çimkat, Jamiron, dhe me këlyshin e vogël Ramirez është duke përgatitur brezin e ri të qenve që nuhasin çimkat.
Megjithatë shanset janë të pakta që çimkat të zhduken që me përpjekjen e parë për t'i luftuar. "Është shumë e vështirë t'i zësh çimkat. Ato fshihen tek çelësat e dritës dhe prizave dhe dërrasat e dyshemesë. Ato vendosen në laptop, në aparatin fotografik, ose tek një libër i trashë, brenda kapakut", thotë Kasig. "Dhe ato mund të jetojnë një vit të tërë pa thithur gjak.” Një vit të tërë. Një problem tjetër është se çimkat përdorin të gjitha vendet ku fshihen për të lëshuar vezët. Mund të ndodhë që muaj të tërë të mos shohësh asnjë çimkë, kur një ditë ato dalin të gjalla sërish ose dalin çimkat e reja që lindin.