KreuCelebrity

Ekskluzive/ Albert Dumani: Ju rrëfej prapaskenat e 'Love Island Albania'!

Ekskluzive/ Albert Dumani: Ju rrëfej prapaskenat e 'Love Island

Nga Anita Aliaj

Pas një karriere shumëvjeçare televizive, duket se për Albert Dumanin ishte momenti i duhur për të qenë autor i një patente ndërkombëtare, gjë e cila duhet thënë se nuk është fort e lehtë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një format siç është “Love Island”, që po korr një sukses të jashtëzakonshëm në më shumë se 25 shtete. Albert Dumani, e ka dashuruar këtë format që në gjenezë e deri në këtë moment që ky ‘reality show’ ka marrë jetë dhe po lulëzon. Në një intervistë për “Bordo”, Dumani e cilëson “Love Island” si një sfidë personale dhe profesionale, teksa nuk nguron që të ndajë me gjithë lexuesit detaje nga prapaskenat e këtij projekti, përfshi; reagimin e producentit ndërkombëtar të ITV Studios, Sven Kruithov, i cili qëndroi rreth një javë në vilën e dashurisë në Palasë dhe pa gjithçka nga afër, punën me moderatoren Luana Vjollca, dhe marrëdhënien e tij me opinionistët Olti Curri dhe Dalina Buzi.

Ekskluzive/ Albert Dumani: Ju rrëfej prapaskenat e 'Love Island

Pas kaq shumë vitesh eksperiencë në media, tashmë jeni edhe autor i një patente ndërkombëtare si “Love Island Albania”, çfarë do të thotë kjo për Albert Dumanin?

Është një sfidë personale dhe profesionale të jesh autori i një patente ndërkombëtare të suksesshme, duke marrë përsipër shumë përgjegjësi dhe një mundësi shumë e mirë për të krijuar një version të ndjekur, si simotrat e saj në shumë shtete. Kam qenë autor i disa programeve televizive në TV KLAN, si “Netë Vere”, “Suavemente”, “Te Blloku”, “Jo vetëm modë”, etj., por “Love Island Albania” është padyshim projekti me gjigant. Jam marrë me këtë format që në gjenezë, duke kontaktuar me ITV Studios për të prodhuar këtë patentë ndërkombëtare, e cila ka “pushtuar” globin dhe po korr një sukses të jashtëzakonshëm në më shumë se 25 shtete. E kam dashuruar këtë format dashurie, që në momentin e parë e deri në çdo detaj të tij që nga hartimi i kontratës, vizita te një nga vilat e “Love Island” në Gran Canaria apo dhe te takimi i të gjithë producentëve ndërkombëtare në Amsterdam. Të punosh për këtë projekt është një sfidë shumë e madhe, por shpresoj që kur të shfaqim episodin e fundit, e gjithë lodhja të “shndërrohet” në vlerësim nga publiku së pari dhe kolegët me të cilët po punojmë 24 orë, për të sjellë në ekran gjithçka çfarë ndodh në vilën e dashurisë në Jug të Shqipërisë.

Ekskluzive/ Albert Dumani: Ju rrëfej prapaskenat e 'Love Island

Fakti që është një format i njohur në mbarë botën, me rekorde audience në më shumë se 25 shtete, e bën më të thjeshtë punën apo më sfiduese? Si ka qenë eksperienca juaj, por edhe e gjithë stafit të televizionit Klan?

Televizioni KLAN po prodhon për herë të parë një ‘reality show’, shumë madhështor në çdo aspekt të tij, dhe është egoja ime personale që të krijojmë një version shqiptar, por aq të suksesshëm si në çdo vend tjetër ku po transmetohet. TV KLAN është i pari televizion në botë që po prodhon këtë format “In house”, që do të thotë gjithçka prodhohet nga vetë televizioni, që nga xhirimi, stafi teknik, post-produksioni, ndriçimi, skenografia dhe mbi të gjitha është hera e parë që një televizion shndërron një vilë super luksoze në bregdetin më të bukur shqiptar, në vilën e dashurisë nga ku merr jetë edhe versioni shqiptar i “Love Island”. Puna është shumë sfiduese sepse formati është ndërkombëtar, dhe duhet të jesh në nivelet e shteteve të tjera që nga skaleta e formatit, mënyra e xhirimit dhe formula e tij. Puna për këtë format ka nisur shumë muaj më parë, sepse është shumë i “koklavitur”, që fillon nga audicionet, ku asnjë konkurrent nuk duhet të shohë tjetrin dhe ne bënim “cirk” nëpër studio e TV KLAN gjatë zhvillimit të audicioneve apo xhirimeve të profileve. Unë jam shpërngulur që në fund të gushtit në jug së bashku me një staf profesionistësh, dhe të gjithë bashkë po punojmë maksimalisht të nxjerrim në TV një program për t’u ndjerë krenarë dhe për të marrë dashurinë e publikut. Ishte e vështirë për të gjetur stafin, sepse po shpërnguleshim larg selisë qendrore të TV KLAN dhe jashtë Tiranës, gjë që e bën më të vështirë punën këtu sepse është hera e parë që po punojmë larg shtëpive tona, dhe një arritje shumë e madhe për TV KLAN që ka siguruar akomodim dhe ushqim për të gjithë stafin.

Ekskluzive/ Albert Dumani: Ju rrëfej prapaskenat e 'Love Island

Duhet pranuar që ka ngjashmëri me formatin “Big Brother”; gjë e cila edhe është komentuar shumë në rrjet, është në fokusin tuaj sfida ndaj këtij formati?

E përbashkëta me “Big Brother” është vetëm termi ‘reality show’ ????. “Love Island” është krejt tjetër format që nga formula e tij ku në thelb është dashuria. Në vilën e dashurisë janë beqarët me “hot” shqiptarë, në kërkim të dashurisë së vërtetë. Pra, ata bashkëjetojnë në një vilë me një “motiv” dhe mision: në kërkim të shpirtit binjak dhe në fund edhe të çmimit të madh, por e rëndësishme është dashuria, ndjenjat, emocioni, drama dhe argëtimi. Fleksibiliteti është çelësi i suksesit i “Love Island” kundrejt çdo formati tjetër ‘reality’. “Love Island” është format më i ri, i freskët, modern, që në botë e ka tejkaluar “Big Brother”. “Love Island” është një format larg skemave rigoroze të një format strikt. “Liria krijuese” e autorit për ecurinë e formatit, bën që publiku gjithmonë shikon diçka të re, çdo episod të tij me një dinamike ngjarjesh të papritura dhe shumë emocionuese, dhe kjo e bën atë shumë më të ndjekur. “Love Island” është unik, nuk ka asnjë format tjetër të ngjashëm me të. Reagimi dhe përgjigjja ndaj mediave sociale, përgjigjja ndaj publikut dhe respektimi i ishullorëve, është kombinimi perfekt për suksesin e këtij formati në të gjithë botën.

Ekskluzive/ Albert Dumani: Ju rrëfej prapaskenat e 'Love Island

Nga Tirana drejt e në vilën e dashurisë në Palasë; Çfarë e bën “Love Island Albania” të suksesshëm?

A ka gjë më të bukur se dashuria dhe çdo ndjenjë që vjen prej saj; simpatia, tërheqja fizike, xhelozia, drama, emocioni, puthja, seksi, etj.. Të gjitha këto vijnë të mikluara në mënyrën më të vërtetë dhe origjinale në një format televiziv, risi në televizionet shqiptare. Jemi në vilën më luksoze në bregdetin shqiptar, me njerëz të mirë e të bukur, me stafin më të kualifikuar dhe në televizionin më të ndjekur shqiptar. Përpara se të fillonim xhirimet, qëndroi me ne këtu në jug për gati një javë producenti ndërkombëtar i ITV Studios, Sven Kruithov, i cili teksa pa gjithçka çfarë kishim ndërtuar dhe mënyrën e punës u shpreh se gjithçka është jashtë çdo pritshmërie dhe kjo do të thoshte shumë për mua. Në fund të vizitës së tij, teksa do të largohej drejt Holandës, ai më rrahu shpatullat dhe më përgëzoi për punën e të gjithëve që po prodhonim një version shumë të arrirë të “Love Island”.

Luana Vjollca, një nga emrat më të komentuar në showbizz-in shqiptar; A është e vështirë të punosh me të?

Luanën e njihja nga ekrani dhe më pas si kolege, pas ardhjes se saj në TV KLAN. Kam qenë gjithmonë “besues” dhe admirues në punën e saj në televizion. Është një vajzë që e dashuron ekranin dhe e ka shumë pasion televizionin, dhe ky është emëruesi ynë i përbashkët. Nuk ka qenë e vështirë për të krijuar një simbiozë të suksesshme në ekran dhe në atë që po bëjmë së bashku në “Love Island Albania”. Më pëlqen këmbëngulja e saj, për të arritur më të mirën.

Ekskluzive/ Albert Dumani: Ju rrëfej prapaskenat e 'Love Island

Çfarë vlerëson më së shumti te “Luana moderatore” dhe te “Luana jashtë kamerave”? Po diçka që nuk të pëlqen ka?

Luana moderatore është më e mira sepse është e vërtetë, dhe unë i kam qejf njerëzit e ekranit që janë të vërtetë. Thjeshtësia, autoironia, ëmbëlsia dhe buzëqeshja e saj në ekran, janë ato që unë por dhe publiku admiron tek ajo. Është shumë profesioniste dhe shumë kërkuese te stafi i saj dhe duket sikur ka lindur për televizion. Luana jashtë kamerave, është ajo që publiku sheh në ekran. Luana në ekran, është ashtu si Luana në jetën e përditshme. Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë së bashku, e cila është intensifikuar dhe është bërë më e ngushtë, tani që punojmë së bashku në këtë format. Kemi shumë të përbashkëta në atë që duam të nxjerrim në ekran, prandaj dhe jam shumë i kënaqur që punoj me të.

Zgjedhja e Olti Currit dhe Dalina Buzit, si opinionistë të këtij formati, u prit mjaft mirë nga publiku, (u cilësua si një zgjedhje e zgjuar), cila është marrëdhënia juaj me ta?

Ata janë pa mëdyshje opinionistët më të mirë që ne kemi, dhe për herë të parë, ata janë së bashku brenda të njëjtit format. Unë jam i nderuar dhe i kënaqur që ata janë pjesë e show-t që Luana drejton dhe padyshim që janë dy shtylla kryesore të spektaklit në ‘prime time’. Nuk kam ndonjë marrëdhënie të ngushtë me ta, por i vlerësoj për punën dhe atë që ata po i japin këtij formati. Dalina ka qenë pjesë e disa programeve në TV KLAN dhe kemi biseduar disa herë për projekte të ndryshme televizive. Dyshja e suksesshme, Buzi dhe Curri, nuk mund të ndodhte të mos ishin pjesë e formatit më të suksesshëm “Love Island Albania”.

Ekskluzive/ Albert Dumani: Ju rrëfej prapaskenat e 'Love Island

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF