Pas një karriere shumëvjeçare televizive, duket se për Albert Dumanin ishte momenti i duhur për të qenë autor i një patente ndërkombëtare, gjë e cila duhet thënë se nuk është fort e lehtë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një format siç është “Love Island”, që po korr një sukses të jashtëzakonshëm në më shumë se 25 shtete.
Albert Dumani, e ka dashuruar këtë format që në gjenezë e deri në këtë moment që ky ‘reality show’ ka marrë jetë dhe po lulëzon. Në një intervistë për “Bordo”, Albert Dumani e cilëson “Love Island” si një sfidë personale dhe profesionale, teksa nuk nguron që të ndajë me gjithë lexuesit detaje nga prapaskenat e këtij projekti, përfshi se si është të punosh me moderatoren Luana Vjollca.
Teksa Albert Dumani u pyet nga "Bordo" se a është e vështirë të punosh me Luanën, ai tha, “Luanën e njihja nga ekrani dhe më pas si kolege, pas ardhjes se saj në TV KLAN. Kam qenë gjithmonë ‘besues’ dhe admirues në punën e saj në televizion. Është një vajzë që e dashuron ekranin dhe e ka shumë pasion televizionin, dhe ky është emëruesi ynë i përbashkët. Nuk ka qenë e vështirë për të krijuar një simbiozë të suksesshme në ekran dhe në atë që po bëjmë së bashku në ‘Love Island Albania’. Më pëlqen këmbëngulja e saj, për të arritur më të mirën”.
Ndërkohë më tej autori i “Love Island” zbulon se çfarë vlerëson më shumë te “Luana moderatore” dhe te “Luana jashtë kamerave”,
“Luana moderatore është më e mira sepse është e vërtetë, dhe unë i kam qejf njerëzit e ekranit që janë të vërtetë. Thjeshtësia, autoironia, ëmbëlsia dhe buzëqeshja e saj në ekran, janë ato që unë por dhe publiku admiron tek ajo. Është shumë profesioniste dhe shumë kërkuese te stafi i saj dhe duket sikur ka lindur për televizion. Luana jashtë kamerave, është ajo që publiku sheh në ekran. Luana në ekran, është ashtu si Luana në jetën e përditshme. Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë së bashku, e cila është intensifikuar dhe është bërë më e ngushtë, tani që punojmë së bashku në këtë format. Kemi shumë të përbashkëta në atë që duam të nxjerrim në ekran, prandaj dhe jam shumë i kënaqur që punoj me të”./bordo.al



















