
Një reper rumun ka shkaktuar nje dallge indinjate – dhe ka fituar pakëz përkrahje njëkohësisht – pasi adoleshentë kënduan bashkë me të vargjet me përmbajtje gangsterizmi dhe tërbimi në një festival muzike në Transilvani. Gheboasa, një artist 21-vjeçar i muzikës hip-hop, emri i vërtetë i të cilit është Gabriel Gavris, përformoi në festivalin katërditor të muzikës elektronike në Cluj-Napoca. Pas një vale zemërimi të madh në rrjetet sociale rumune dhe një debati të ashpër në media mbi kulturën për disa ditë më radhë, Gheboasa u dënua me gjobë për përdorimin e një gjuhe e cila e prishi paqen dhe ofendoi publikun, thote REL. Ai tha se do të ankohet ndaj vendimit.
Zemërimi publik ka të bëjë kryesisht me mizogjininë e perceptuar, lartësimin e dhunës dhe drogës, si dhe racizmin e stereotipat etnikë – çështje të cialt e kanë pushtuar botën e hip-hopit dhe muzikës rep të mbizotëruar nga meshkujt për dekada. Reagimet e ashpra bënë që Gheboasa të gjobitej me 222 dollarë, për “fyerje të rende, shprehje fyese apo vulgare, që kanë mundësi ta pengojnë rendin publik dhe paqen, apo të nxisin zemërim mes qytetarëve, ose ta ofendojne dinjitetin ose nderin e tyre”.
Policia e Cluj-Napoca i kërkoi, po ashtu, Këshillit Kombëtar për Luftimin e Diskriminimit që, “ta analizojë paraqitjen e Gheboasas, fjalët dhe shprehjet e përdorura nga ai, për të parë nëse ka pasur shkelje diskriminuese apo anti-shoqërore”. Gheboasa u përgjigj në rrjetet sociale duke i akuzuar autoritetet se e gjobitën për shkak të, “syve të bukur” që ka dhe sepse ai është “cigan”. Gheboasa u rrit në një komunitet rom në një lagje të varfër të Targovistes, një qytet 80 kilometra larg nga kryeqyteti, Bukuresht, dhe foli për fëmijërinë e vështirë të rrethuar nga dhuna dhe varfëria. Ai i kaloi vitet e fëmijërisë nën kujdestari, për shkak se babanë e kishte në burg, ndërsa nëna e kishte braktisur menjëherë pas lindjes.
Rreth 1.85 milion romë jetojnë në Rumani, afro tetë për qind e popullsisë së këtij vendi, sipas Këshillit të Evropës. Megjithatë, sipas regjistrimit të fundit të romëve më 2021, në Rumani jetojnë 560 mijë romë, një shifër që është kundërshtuar nga disa sociologë, të cilët thonë se romët nuk e tregojnë përkatësinë etnike, ose nuk marrin pjesë fare në regjistrim.
Sipas Amnesty International, romët në Rumani “përballen me varfëri të skajshme, përjashtim nga shoqëria dhe diskriminim, përfshirë në arsim, shëndetësi dhe punësim”.
Pak orë pas paraqitjes së Gheboasas në Untold Festival, Catalin Tone, i cili i udhëheq operacionet kundër drogës në Bukuresht për Drejtorinë e Policisë për Luftimin e Krimit të Organizuar, mori vëmendje të madhe publike pasi i shpërndau brohoritjet e një audience të mbushur me adoleshentë të hitit më të madhe të reperit: “Da-I Tiganca!” që në shqip përkthehet si: “Hiq dorë, vajzë cigane!”
Tone e shpërndau tekstin e këngës së Gheboasas bashkë me një video nga festivali, duke paralajmëruar se: “këta janë idhujt e fëmijëve tanë!”.
“Hiq dorë, vajzë cigane/Thyeje bankën/Oh, çfarë vajze e bukur cigane/Si i lëviz ajo ijet/Lëvizje horror/ Ajo është e pistë.”
Kënga “Da-I Tiganca!” ka edhe një kuptim mbase fyes për fjalën “bankë”, e cila mund të përdoret edhe si zhargon për t’iu referuar vitheve të një gruaje. Tone theksoi se edhe një tjetër këngë e Gheboasas i referohet drogës dhe ka një shprehje vulgare e përçmuese për organet gjenitale të gruas. Në të, Gheboasa mburret se i konsumon të dyja. “T’i mbrojmë fëmijët tanë!”, bëri thirrje Tone. Gheboasa, emri i të cilit në rumanisht merr formën femërore të fjalës “gungaçe”, ka legjione të adhuruesve të rinj, duke mbledhur dhjetëra miliona shikime në platformën YouTube dhe ka qindra mijëra ndjekës në rrjetet sociale TikTok dhe Instagram. Ai ishte garues në emisionin televiziv “Rumania e Mbijetuar”, por u tërhoq pas javës së parë.
Stili i muzikës së Gheboasas ka marrë termet “trapanele”, një përzierje stilesh – nënzhanri i hip-hopit që ka dalë nga jugu i Amerikës në vitet e ’90 – dhe “manele”, një zhanër i muzikës pop-folk i ndikuar nga muzika turke, arabe dhe ballkanike, e cila është shumë e njohur në komunitetin rom të Rumanisë.
Emri “trap” buron nga “trap house”, një zhargon i Atlantës për vendin ku shiten drogat. Origjina e “trapit” është nga qytetet amerikane të goditura nga varfëria, me artistët që bëjnë rep për jetën në rrugë, dhunën dhe drogat, tingujt e tij dallues të basit të rëndë kanë depërtuar deri në qendër dhe përdoren edhe nga artistet si Beyonce dhe Rihanna. Shumë artistë ndërkombëtarë të “trapit” e huazojnë dhe përshtatin stilin e këtij zhanri dhe tekstet e papërpunuara nga homologët e tyre amerikanë, teksa bëjnë free-style në skenë në mënyrë rutinore.
Pas rënies së komunizmit, të rinjtë romë nëpër Evropë e përqafuan hip-hopin amerikan, duke e identifikuar veten me tema të zakonshme për padrejtësinë shoqërore, dhunën policore dhe varfërinë. Shumë reperë romë janë bërë të njohur duke e përzier shpesh zhanrin origjinal me stile të muzikës lokale.