Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka folur lidhur me situatën pandemike në vend, në një periudhë kur festat e fundvitit po afrojnë dhe emigrantë nga shtete të ndryshme priten të vijnë.
Manastirliu tha ekspertët po vlerësojnë situatën, për masat që do të nevojiten, por nuk foli për shtim të masave kufizuese. Aktualisht, në Shqipëri është në fuqi ora policore 23:00-06:00, ndërsa maska është e detyrueshme në ambientet e mbyllura dhe në bare restorante dhe të ruhet distanca fizike.
“Jemi duke vlerësuar në dinamikë situatën dhe në ndërkohë po vijojmë me investimet në sektor për të siguruar Planin e Dimrit si dhe vazhdimit të rritjes së kapaciteteve qoftë sa i përket testimit dhe gjurmimit me shtimin e aparaturave të reja në ISHP, shërbimit të Urgjencës Kombëtare, ku një flotë e re prej 20 autoambulancash do të bëhet efektive brenda këtij viti duke mundësuar rritjen e përgjigjes ndaj rasteve urgjente si dhe kapacitetet spitalore, ku bëjmë të mundur dhe fillimin e investimit në spitalin infektiv, të një investimi mbi 4 milionë euro për ta fuqizuar e për ta bërë një spital modern dhe qendër ekselence të sëmundjeve infektive.
Paralelisht pavionet e përgatitura në spitalet rajonale vijojnë të jenë në gjendje gatishmërie për t’ju përgjigjur çdo skenari të hapjes së tyre për trajtim të plotë të rasteve të pacientëve Covid”, tha Manastirliu.